Cerca

Vatican News

Papa: flaka e Pagëzimit duhet ushqyer me lutje e bamirësi

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi besimtarët ta jetojnë pa lëkundje jetën e krishterë e ta dëshmojnë ditë për ditë, sipas planeve e stilit të Zotit. Misioni i Kishës, është mision i secilit prej nesh - pohoi.

R. SH. - Vatikan

Lidhja  Jezusit me njerëzit dhe lidhja e Jezusit me Atin! Këto, dy elementet kryesore, mbi të cilat e përqendroi Papa reflektimin, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në ditën kur Kisha kremton Festën e Pagëzimit të Zotit. Në rrëfimin ungjillor të Pagëzimit të Jezusit nga Gjon Pagëzuesi, në lumin Jordan - vërejti Papa - del në pah roli i popullit, që nuk është aty vetëm për të krijuar sfondin e skenës. Ka rol të rëndësishëm. Para se të zhytet në ujërat e lumit, Krishti zhytet i tëri në turmë, bëhet njeri me të gjitha tiparet njerëzore, me përjashtim të mëkatit.

Feja ushqehet me lutje e bamirësi

Jezusi, duke u bashkuar me popullin, zbulon kuptimin dhe logjikën e misionit të Tij e, përmes shenjës së Shpirtit Shenjt, nis një botë e re, një krijim i ri, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë ata, që e pranojnë Krishtin në jetën e tyre:

“Edhe secilit prej nesh, që u rilindëm nga Jezusi në pagëzim, i drejtohen fjalët e Atit: ‘Ti je im bir, i dashuri’. Kjo dashuri e Atit, të cilën e morëm ditën e Pagëzimit, është flakë e ndezur në zemrën tonë, që kërkon  të ushqehet me lutje e dashuri të krishterë”.

Dëshmitarë të vërtetë, të palëkundshëm

Përveç kredhjes në turmë e mishërimit, Jezusi - shtoi Papa – kridhet edhe në lutje; prej këndej, në bashkimin me Atin e, duke marrë Pagëzimin, fillon jetën e Tij publike dhe misionin në botë, për t’ua treguar dashurinë e Tij gjithë njerëzve. Edhe ne - nxiti Françesku - jemi të thirrur në këtë “shartim” me Zotin, për të qenë dëshmitarë të vërtetë e të palëkundshëm:

“Misioni i Kishës, e edhe ai i secilit prej nesh, për të qenë besnik e i frytshëm, duhet ‘shartuar’ mbi Korpin e Krishtit. Duhet të rilindemi gjithnjë e gjithnjë në lutje, në ungjillëzim e apostullim, për të dhënë dëshmi të qartë kristiane, jo sipas planeve tona njerëzore, por sipas planit dhe stilit  të Zotit”.

Ta ruajmë kujtimin e Pagëzimit

Nga dritarja e Engjëllit, Papa i ftoi të gjithë besimtarët t’i përsërisin “me mirënjohje e bindje” premtimet e Pagëzimit të tyre, për të jetuar çdo ditë,  pa u lëkundur, në një vijë me to. E edhe një herë i këshilloi të shkojnë e t’i pyesin prindërit, gjyshërit, xhaxhallarët për datën e saktë, në të cilën morën Sakramentin, zanafillë e jetës së krishterë. E, më pas, u kujtoi besimtarëve

“Sot paradite, sipas zakonit të kësaj feste, pata gëzimin të pagëzoj një grup të bukur të posalindurish. Të lutemi për familjet e tyre. E me këtë rast, u përsëris të gjithëve ftesën ta ruajnë gjithnjë të gjallë e të freskët kujtimin  e Pagëzimit. Aty janë rrënjët e jetës sonë në Zotin! Aty, edhe  rrënjët e jetës sonë të pasosur, që Jezu Krishti na e dhuroi me Mishërimin, Mundimet, Vdekjen e Ngjalljen”.

T’i lutemi Shpirtit Shenjt

Thirrja e fundit e Papës ishte t’ia besojmë jetën tonë Shpirtit Shenjt, duke e lënë të na prijë:

“Ashtu si Jezusi pas Pagëzimit, ta lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë në gjithçka bëjmë. Por për këtë duhet t’i lutemi! T’ia drejtojmë lutjen sa më shpesh gjatë ditëve tona, që të mund t’i jetojmë me dashuri edhe çastet më të zakonshme, duke i shndërruar, kështu, në të jashtëzakonshme”.

Përshëndetjet turmës

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi nga një fjalë të mirë   grupeve të shumta të besimtarëve, ardhur nga vise të ndryshme të Italisë e të botës. Një përshëndetje e posaçme ishte ajo për neokatekumenalët  ardhur nga Polonia: “Erdhët të kremtoni ditëlindjen e Kikos?” - i pyeti Papa - duke rikujtuar kështu se nismëtari i Ecjes Neokatekumenale e kremtoi 80-vjetorin e ditëlindjes të mërkurën e kaluar, më 9 janar.  

13 janar 2019, 14:56