Kërko

Kopertina e librit "Letrat e Mundimit" Kopertina e librit "Letrat e Mundimit" 

Në një libër, refletimet e Papës mbi mundimet e djeshme dhe të sotme

Vëllimi është botuar nga “Ancora” dhe nga “La Civiltà Cattolica”, nën kujdesin e jezuitëve, atë Antonio Spadaro dhe atë Diego Fares, me parathënie të vetë Françeskut.

R.SH. - Vatikan

Pas më shumë se 30 vjetësh, eseja “Letrat e Mundimit” u botua, e zgjeruar dhe e përditësuar në kohën aktuale. Zanafillën e veprës e tregon vetë Papa Françesku, në parathënien e vëllimit, për të cilin u kujdes personalisht në vitin 1987, kur u botua për herë të parë, me kërkesën e atë Miguel Angel Fiorito (rektor i Universitetit të Shëlbuesit në Buenos Ajres, përveç shumë detyrave të tjera akademike). Në atë rast, u publikuan tetë letra të dy eprorëve të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit, shtatë të atë Lorenzo Ricci-t, shkruar ndërmjet viteve 1758 dhe 1773, si edhe një letër e atë Jan Roothaan e vitit 1831. Letrat i referohen “mundimit të madh” për vendimin e marrë nga Papa Klementi XVI më 1773, për të mbyllur Urdhërin e Jezuitëve, rithemeluar, pastaj, më 1814, me vendim të Papës Piu VII.

Rëndësia e vetë-akuzimit

“Më kujtohet - shkruan Papa Françesku - se kur i dërgova atë Miguel Ángel Fiorito-s bocën e parathënies, që pata shkruar për botimin e parë të “Letrave të Mundimit”, Mjeshtri - e quanim kështu, sepse mjeshtër ishte e mbetet, për mënyrën si diti të formojë një shkollë shoshitjeje e shqyrtimi - më kërkoi ta shtjelloja më mirë paragrafin e fundit, ku flisja për rëndësinë e vetë-akuzimit. Në atë pikë, bëhej fjalë pikërisht për shoshitjen e për mënyrën si duhej përballuar turpi dhe konfuzioni që ndjehen kur Qoftëlargëti përndjek egërsisht bijtë e Kishës. Përgjigjja - shpjegon Papa Françesku - ishte ta kundërshtonim të Keqin përmes turpit dhe konfuzionit të shëndoshë, që Mëshira e pafundme e Zotit dhe besnikëria e Tij dikon mbi kë kërkon falje për mëkatet. ‘Aty është hiri i Tënzot’, më pati thënë. ‘Shtjelloje më tej mendimin’”.

Shoshitja në kohë konfuzioni

         Papa shkruan se edhe sot, pavarësisht nga ndryshimi i kuadrit, Lufta me të Keqin është po ajo. Prandaj, e ndjen për detyrë t’i propozojë sërish letrat e atëhershme, që sipas Atit të Shenjtë, janë “traktat i shoshitjes në kohë konfuzioni e shtrëngese”. Françesku bën thirrje të mos biem në viktimizëm e të mos e ushqejmë prirjen për hakmarrje, por siç na mësojnë ata, që janë ndeshur me të njëjtat probleme para nesh, “në çastet e dëshpërimit më të madh, të zgjedhim ngushëllimin”, lutjen, butësinë, e pastaj, guximin e shpresën, që shndrit mendjen.

Letrat e Françeskut për mundimet e sotme

Përveç tetë letrave të eprorëve të përgjithshëm të jezuitëve, atë Ricci dhe atë Roothaan, - për herë të parë përkthyer nga latinishtja, në këtë botim - eseja propozon edhe pesë letra të Papës Bergoglio, shkruar më 2018. Katër prej tyre i drejtohen Kishës në Kili, lidhur me “plagën e hapur, të dhimbshme dhe të ndërlikuar të pedofilisë” dhe e pesta, Popullit të Zotit, që “ta çrrënjosë kulturën e abuzimeve”. Janë fjalë, të cilat Ati i Shenjtë i konsideron themelore, për të përballuar kohën e vështirë e të turbullt, që po kalon Kisha, por edhe për të ndalur polemikat dashakeqe dhe anti-ungjillore, siç nënvizon njëri nga jezuitët kuratorë, atë Antonio Spadaro, drejtor i “La Civiltà Cattolica”.

30 janar 2019, 13:09