Kërko

Logoja e udhëtimit të Papës në Marok Logoja e udhëtimit të Papës në Marok 

Logoja e udhëtimit apostolik të Papës në Marok

U paraqit logoja e vizitës së Papës në Marok, ku do të vizitojë qytetet e Rabatit dhe të Kazablankës. Vetë Ati i Shenjtë e quajti sot udhëtimin, mundësi të rëndësishme për të vijuar më tej dialogun ndërfetar dhe njohjen reciproke ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.

R.SH. - Vatikan

Duke pranuar ftesën e mbretit Muhamet VI dhe atë të ipeshkvijve të vendit, Papa Françesku do të shkojë për një udhëtim apostolik në Marok, më 30 e më 31 mars. Gjatë vizitës, do të qëndrojë në Rabat e në Kazablankë. Ky udhëtim në një vend me shumicë myslimane, është i 26-ti ndërkombëtar i Atit të Shenjtë, që nga fillimi i papnisë.

Udhëtim me karakter ndërfetar

         Së bashku me udhëtimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 3 deri më 5 shkurt, edhe ky do të jetë, siç e theksoi Papa sot në takimin me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, një nga “dy mundësitë e rëndësishme për të ecur më tej në dialogun ndërfetar e në njohjen reciproke ndërmjet besimtarëve të të dyja feve, në 800-vjetorin e takimit historik ndërmjet Shën Françeskut të Asizit dhe sulltanit al-Malik al-Kamil”.

Logoja e udhëtimit apostolik të Papës

         Logoja e vizitës apostolike në Marok u zgjodh ndërmjet 50 vizatimeve të artistëve të ndryshëm, përmes një konkursi. Pasqyron një kryq e një gjysëmhënë, simbole të fesë së krishterë e të asaj myslimane, për të nënvizuar karakterin ndërfetar të udhëtimit. Logoja ka ngjyrat e dy vendeve: jeshil e kuq për Marokun, me sfondin bardh e verdh, ngjyrat e Vatikanit. Nën emrin e Papës, motoja e vizitës: “Shërbëtor i shpresës”. Do të thotë se Papa është, siç e ka përsëritur shpesh vetë, shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit. Njëkohësisht, këto fjalë përbëjnë edhe titullin e letrës baritore, që Konferenca Ipeshkvnore rajonale e Afrikës së Veriut i dha Atit të Shenjtë, kur ipeshkvijtë erdhën në Vatikan, në vizitën ad Limina të vitit 2015. Emri i Marokut është shkruar në arabisht për të nderuar vendin mikpritës.

07 janar 2019, 18:13