Duar që ndihmojnë, Kryqi, qielli, drita Duar që ndihmojnë, Kryqi, qielli, drita  

Kundërdëshmi - e- Dëshmi

Leksiku papnor: reflektim mbi fjalët e Françeskut kundërdëshmi - e- dëshmi

Dëshmi e kundërdëshmi! Lufta e përjetshme e të kundërtave në jetën e Kishës, ashtu si në jetën e njerëzimit, vijon. Dëshmitarë e kundërdëshmitarë. Na e kujton Papa në fjalimin drejtuar Kuries Romake me rastin e urimeve të Krishtlindjes.

Ndësa kundërdëshmitarët s’pushojnë s’i thelluari dy plagët e rënda të Kishës: shpërdorimet e pabesitë - dëshmitarët e ndihmojnë Krishtin ta mbajë fort në këmbë, e jo me fjalime, por me flijim.

Ndërsa njëra palë nuk mendon tjetër, veçse të shpëtojë maskën. E, sidomos, karriken, ku ulet çdo ditë …

tjetra jeton epokën e martirëve, aq sa të duket se persekutimi i egër i perandorisë romake vijon. E vijon edhe ndeshja me kundërdëshmitarët;

errësirë ndërmjet dy dritash - shkatërruesit e vetvetes nuk duan ta kuptojnë se kanë shkelur rëndë ligjin e Zotit;

pala tjetër përballon neronët e rinj, që lindin njëri pas tjetrit  për t’i mbytur në gjak besimtarët. E jeton në pritje për të shkelur përtej kufijve të botës njerëzore;

njëra, edhe pasi ka kryer mëkate të pafalshme para Zotit, vijon të korruptohet, deri në kalbjen e plotë; e bota nuk mund t’i besojë;

 tjetra përballon me heroizëm ekstremistët, që shtohen çdo ditë, sulmojnë kishat, vendet e kultit, meshtarët, besimtarët e thjeshtë, të cilët vijojnë të japin dëshmi heroike. E bota beson!

Njëra, e njohur si “e shuguruar”, ka një druajtje të vetme: dron se do të zbulohet, se do t’i çirret maska. Nuk pyet fare për plagët, që i hapen Kishës, shkaktuar nga shkandujt, e aq më pak për flijimin e palës tjetër, pas së cilës fsheh veprën e vet kriminale;

tjetra jeton nën barrën e rëndë të atyre, që ushqejnë urrejtjen kundër Krishtit, duke e dëshmuar pa frikë, heroikisht;

njëra, pa i luajtur fare qerpiku, hyn në rrjetin e korrupsionit, tradhton Zotin, Kishën e tij, thirrjen e vet, popullin e Hyut, besimin e  të vegjëlve  e të të vetëve! E Kisha me gjithë bijtë e saj, bie viktimë e gjithë kësaj pabesie, e këtij krimi të mirëfilltë;

tjetra vijon të përballojë me guxim vdekjen, për të mos e mohuar Krishtin,  në të katër anët e botës. Sa vështirë e ka edhe sot ta jetojë lirisht e pa frikë mungesën e lirisë fetare, lirisë së ndërgjegjes, e edhe lirisë për t’i treguar me gisht fytyrat e vërteta, të fshehura pas maskave!

Nga njëra anë, njerëz,  që i hapin  Kishës plagë të thella, me shpëdorime e pabesi:

nga ana tjetër, dëshmitarë, samaritanë të mirë, të rinj, familje, lëvizje që, megjithatë, nuk mund ta shlyejnë kundërdëshminë e disa bijve të Kishës.

Ju lutem - i fton Papa dëshmitarët - ndihmojeni Kishën Amë në detyrën e vështirë për t’i zbuluar fajtorët e vërtetë, që s’duan as s’dinë të pendohen, por që dinë të fshihen pas maskës së martirit!

Maskat! Po rënë maskat, nuk mund të shndrisë përsëri me gjithë dritën e vet, pa asnjë hije,  fytyra e Kishës Amë!

Kisha nuk është ndërtesë, nuk është institucion. Kisha ndërtohet me dëshmitarët, që marrin çdo ditë kryqin e vet mbi shpinë e ngjiten në Kalvar mbas Krishtit. Deri në Golgotë! Këtyre u beson plotësisht njerëzimi! Sepse dëshmitarë të heshtur, pa kurrfarë maske! Që e shkrijnë jetën, për të dhuruar jetë. Prandaj Kisha do të vijojë përpjekjet për ta përballuar kundërdëshminë, këtë sëmundje, që shkakton vdekjen e ngadaltë të shumëkujt – vdekje morale, psikologjike, njerëzore!

19 janar 2019, 10:47