Kërko

Madre Teresa Shen Nene Tereza2.jpg

Dita Botërore e të Sëmurit. Papa: ndiqni shembullin e Nënë Terezës

Në Mesazhin për Ditën e 27-të Botërore të të Sëmurit, që kremtohet më 11 shkurt, Papa Françesku jep si shembull Nënë Terezën, shenjten shqiptare të bamirësisë. “Mëshira ishte për të ‘kripa’, që i jepte shije çdo pune e ‘drita’, që shndriste errësirën e kujt s’kishte më as lot për të vajtuar mbi varfërinë e mundimet e veta”, shkruan Ati i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

“Strukturat katolike duhet të shprehin sensin e dhurimit, të shërbimit pa interes e të solidaritetit, si kundërpërgjigje ndaj logjikës së fitimit me çdo kusht, të mendësisë ‘më jep-të jap’, të shfrytëzimit, që nuk ka parasysh njerëzit”. Kjo është thirrja e Papës Françesku në mesazhin për Ditën e 27-të Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt, në përkujtimin liturgjik të Zojës së Lurdës. Këtë vit, kjo Ditë do të kremtohet në mënyrë të veçantë e më solemnisht në Kalkutë të Indisë, ku ka shërbyer gjithë jetën e vet shën Nënë Tereza, murgesha shqiptare e bamirësisë.

Papa jep si shembull Nënë Terezën

E pikërisht atë e jep Papa si shembull. “Dua të kujtoj me gëzim e admirim, - shkruan Françesku në mesazh, duke përmendur murgeshën e më të këputurve të shoqërisë - figurën e shën Nënë Terezës të Kalkutës, model bamirësie, që e ka bërë të dukshme dashurinë e Zotit për të varfërit e të sëmurët. Mëshira ishte për të ‘kripa’, që i jepte shije çdo pune e ‘drita’, që shndriste errësirën e kujt s’kishte më as lot për të vajtuar mbi varfërinë e mundimet e veta. Dhurimi falas është tharmi i veprimtarisë së vullnetarëve, që kanë kaq shumë rëndësi në sektorin shoqëroro-shëndetësor e që e jetojnë qartas përshpirtërinë e Samaritanit të Mirë”.

Kujdesi për të tjerët ka nevojë për “përkëdhelje”

         Papa i këshillon të gjithë, “në nivele të ndryshme, të promovojnë kulturën e faljes e të dhurimit, e domosdoshme për të kapërcyer kulturën e përfitimit e të mënjanimit. Institucionet shëndetësore katolike nuk duhet të bien në afarizëm, por të shikojnë më shumë kujdesin për njeriun, sesa fitimin. E dimë se shëndeti është relacional, pra, varet nga marrëdhëniet me të tjerët e ka nevojë për mirëbesim, miqësi e solidaritet. Është pasuri, që mund të gëzohet ‘plotësisht’ vetëm nëse ndahet me të tjerët. Gëzimi, që vjen nga dhurimi falas, është treguesi i shëndetit të të krishterit”. Pikërisht në dhurimin e vetvetes, nënvizon Ati i Shenjtë, “pasqyrohet dashuria e Zotit, që kulmon me mishërimin e Birit të Tij, Jezu Krisht e me dikimin e Shpirtit Shenjt”.

Dhurimi kundër kulturës së indiferencës

         Ati i Shenjtë kujton se “para kulturës së hedhurinave e të indiferencës, dhurimi duhet të jetë paradigma, në gjendje ta sfidojë individualizmin dhe copëzimin shoqëror bashkëkohor, për të krijuar lidhje të reja dhe forma të ndryshme bashkëpunimi njerëzor ndërmjet popujve dhe kulturave. Dialogu, që është premisë e dhurimit, krijon hapësira marrëdhëniesh për rritjen e zhvillimin njerëzor, të afta t’i thyejnë skemat e ushtrimit të pushtetit në shoqëri”. E gjestet me të cilat u dhurojmë vetveten të tjerëve, shton Françesku, janë “rruga më e besueshme për ungjillëzimin”. Kujdesi për të sëmurët ka nevojë për profesionalitet, por edhe për dhembshuri e përkëdhelje. Ekzistenca nuk është thjesht, private e as thjesht, fitore e mjekësisë dhe e bioteknologjive, që mund ta tundojnë njeriun të manipulojë pemën e jetës.

Falenderimi i Papës për vullnetarët

Së fundi, falenderimi i Papës për të gjithë vullnetarët e sektorit shëndetsor: “Inkurajoj të gjitha shoqatat e vullnetarëve, që merren me transportin dhe me ndihmën për pacientët, si edhe ato që garantojnë dhurimin e gjakut, të indeve e të organeve. Janë me rëndësi themelore shërbimet tuaja vullnetare në strukturat shëndetësore apo në shtëpi, shërbime që shkojnë nga ndihma shëndetësore në mbështetjen shpirtërore. Përfitojnë prej tyre shumë njerëz të sëmurë, të vetmuar, të moshuar, të brishtë nga ana psikike e fizike. Ju nxis të vazhdoni të jeni prani e Kishës në botën e shekullarizuar”.

Dita e 27-të Botërore e të Sëmurit

         Këtë vit, Dita Botërore e të Sëmurit ka si temë “Falas keni marrë, falas jepni”. Kjo shprehje e shën Mateut ungjilltar është pjesë e mësimeve, që Jezu Krishti u jep dishepujve të vet. Nënë Tereza është dëshmi e jashtëzakonshme e kësaj dashurie falas, prandaj, kjo Ditë, do të kremtohet më solemnisht në Kalkutë.

08 janar 2019, 13:36