Kërko

Dhimbja e Papës për emigrantët e vdekur në Mesdhe

Menjëherë pas Engjëllit të Tënzot, Papa u lut për emigrantët e vdekur gjatë dy tragjedive të fundit në Mesdhe: nuk kërkonin tjetër - theksoi - veçse ardhmëri të re për jetën e tyre.

R. SH. - Vatikan

Papa i kujtoi përsëri viktimat e mbytjeve në detin Mesdhe, shndërruar prej kohe në një varrezë vigane, me të vdekur të padukshëm e të pavarre. E bëri këtë menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit:

Me dhimbje në zemër

Një nga dy dhimbjet, që kam në zemër - pohoi Papa duke iu drejtuar turmës së mbledhur në këtë ditë janari, ngarkuar me re e me shi - është ajo e Mesdheut, varrezë jetësh e varr shpresash!

"Mendoj - shtoi Françesku - për 170 të vdekurit, që u mbytën në Mesdhe. Kërkonin vetëm një gjë: një jetë tjetër. Një ardhmëri tjetër. Po ranë viktima, ndoshta, të trafikantëve të jetëve njerëzore. Të lutemi për ta e për të gjithë përgjegjësit për këtë, që ndodhi”

Këtë theksoi Papa, duke i ftuar, më pas, besimtarët për të thënë së bashku një “Të falemi Mari”…

Rikujtim i tragjedisë

Mbi njëqind viktima, në brigjet libike! Barka e emigrantëve, e nisur nga Tripoli, u fundos vetëm pasi kishte bërë pak milje në det të hapur. Në bordin e saj ishin 120 persona; ndërmjet mes tyre, gra e fëmijë. Vetëm pak arritën të mbijetonin, të shpëtuar nga roja bregdetare italiane. Mbërritën të tmerruar në portin e Lampeduzës, ku rrëfyen tragjedinë e sapojetuar. Operacionet e kërkimit për trupat e të mbyturve, nuk gjetën asnjë prej tyre.

53 emigrantë të tjerë humbën në detin e Alboràn, ndërmjet Spanjës e Marokut. Orët e fundit bilanci i dy gomoneve të mbytura arriti në 170 jetë të humbura: ndërmjet tyre, gra e fëmijë.   

“Nuk mund të lejohet më vijimi i tragjedisë, që rrënon jetë njerëzore në Mesdhe” -  deklaroi zëdhënësi i Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Po tragjedia vijon e nuk dihet kur do të përfundojë akti i saj i fundit!

20 janar 2019, 15:14