Kërko

 Barka e Kishës Barka e Kishës 

Barka e Kishës

Në botën e tronditur rëndë gjatë vitit, që kaloi, Barkës së Kishës iu desh të përballojë stuhi e uragane…

R. SH. - Vatikan

Në botën e tronditur rëndë gjatë vitit, që kaloi, Barkës së Kishës iu desh të përballojë stuhi e uragane. E dishepujve, të përsërisin, të shqetësuar, klithmën, e cila vjen nga thellësitë e shekujve. Klithmë sa e lashtë, edhe e re – që jehon fort, duke dalë nga faqet e Ungjijve, për të hyrë edhe në jetën tonë, në një barkë me disa nga dishepujt: “Mjeshtër, a nuk e sheh se po mbytemi? Se barkën po e përpijnë ujërat e trazuara?” (Mk 4,38).

Disa nga dishepujt, të lemeritur nga lajmet, nisën ta humbasin besimin  e ta braktisin barkën. Të tjerë, akoma: dikush prej frike, dikush për të mbrojtur interesat e veta, dikush për qëllime të dyta, të treta, i hapën vrima të reja - plagë të reja - barkës së tronditur nga stuhitë. Të tjerë, nuk e fshehën kënaqësinë, duke e parë  ashtu,  të tundur e të shkundur mes dallgësh malore.

Po dishepujt e vërtetë vijojnë të lundrojnë valë mbi valë, drejt horizonteve të pafundme, me bindjen se stuhitë nuk do të mund ta fundosin kurrë Barkën e Shën Pjetrit. E provuan, por pa sukses. E dishepujt u bindën për këtë, kur panë Mjeshtrin duke ecur mbi ujërat e trazuara, duke i dhënë urdhër detit: “Qetësoju!” e duke i siguruar dishepujt se as flakët e ferrit nuk do të mund të ngadhënjejnë kurrë mbi Barkën!

Këtë na e kujtoi përsëri Papa gjatë festave të dimrit, duke na siguruar se nuk janë dallgët, ato që përcaktojnë lundrimin e Barkës drejt brigjeve të reja, por qëndresa e lundërtarëve. Besa e lidhur me të Zotin e Barkës! E se koha e lundrimeve të mëdha, nis pikërisht pas stuhive të mëdha!

27 janar 2019, 15:49