Kërko

 Papa: Peng nderimi Zojës së Papërlyer Papa: Peng nderimi Zojës së Papërlyer 

Zoja e Papërlyer. Papa i lutet Marisë të jetë gjithnjë pranë familjeve, që vuajnë

Para nderimit tradicional të Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës, Papa Françesku u gjunjëzua tek altari i Zojës Salus Popoli Romani, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Gjatë lutjes, porosia: kujdesi i të gjithëve e bën Romën më të bukur!

Sot pasdite, në orën 15.15, Papa Françesku u nis nga Shtëpia e Shën Martës, ne Vatikan drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, ku nderoi Zojën Salus Popoli Romani, për të cilën ka një devocion të veçantë.

Në orën 16.00, sipas traditës, ishte përsëri në Sheshin romak të Spanjës  te këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX, më 1854.

Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30, një zjarrfikës i dhuroi Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Ndërsa lulet e para të bardha te këmbët e kësaj shtatoreje i vuri Papa Piu XII më 1957.

E edhe Françesku, sipas traditës, vuri tek këmbët e Zojës së Papërlyer një shportë me lule e i drejtoi lutjen e dalë nga zemra, në emër të popullit shenjt të Zotit, të familjeve, të fëmijëve, të rinjve, të pleqve,  të sëmurëve, të  burgosurve, edhe në emër të atyre, që erdhën nga toka të largëta.

Lutja drejtuar Zojës së Papëlyer

O Nënë e panjollë:

në ditën e festës sate, aq të dashur për popullin e krishterë,

vij të paraqes nderimet në zemër të Romës.

Kam në shpirt gjithë besimtarët e kësaj Kishe

e të gjithë ata, që jetojnë në këtë qytet, posaçërisht të sëmurët

 e edhe ata që, për shkaqe të ndryshme, jetojnë mundimshëm.

Para së gjithash duam të të falënderojmë

për kujdesin amtar me të cilin na shoqëron në udhën tonë;

sa herë dëgjojmë njerëz, që  provuan ndërmjetësimin tënd

duke folur me lot në sy për hiret,

që Ti  i kërkon për ne, nga Biri yt Jezus!

Mendoj edhe për një hir të zakonshëm,

që u bën njerëzve, të cilët jetojnë në Romë:

Hirin e përballimit me durim  të vështirësive të jetës së përditshme.

Për këtë  të kërkojmë forcë, që të mos dorëzohemi, përkundrazi,

ta kryejmë çdo ditë detyrën tonë për t’i pëmirësuar kushtet,

sepse kujdesi i secilit nesh e bën Romën më të bukur, më të banueshme për të gjithë;

e detyra e kryer mirë nga secili, u siguron të drejtat të gjithëve!

E, duke menduar për të mirën e përbashkët të këtij qyteti,

të lutemi për ata, që kanë më shumë përgjegjësi:

Ndërmjetëso që të kenë edhe hirin e urtisë e të largpamësisë, shpirtin e shërbimit e të bashkëpunimit.

Virgjër Shenjte!

Dëshroj  të t’i besoj në mënyrë të veçantë meshtarët e kësaj Dioqeze,

famullitarët, zëvendës-famullitarët, priftërinjtë e moshuar, që me zemër barinjsh

vijojnë të punojnë në shërbim të Popullit të Zotit;

meshtarët studentë nga të katër anët e botës, që bashkëpunojnë në famullitë.

Për të gjithë të kërkoj gëzimin e ëmbël të ungjillëzimit

e edhe dhuratën që të jenë pranë njerëzve etër, plot mëshirë.

Ty, Grua tërësisht kushtuar Zotit, po t’i besoj gratë e kushtuara në jetën rregulltare e në atë shekullare,

që faleminderës Zotit, në Romë janë shumë, më shumë se në çdo qytet tjetër të botës,

e formojnë një mozaik mahnitës kombësish e kulturash.

Për to të kërkoj gëzimin të jenë si ti, nuse e nëna,

plot me fryte lutjeje, bamirësie, mëshire.

O Nëna e Jezusit!

Edhe një gjë po ta kërkoj, në këtë Kohë të Ardhjes,

duke menduar ditët kur ti e Jozefi ishit të pushtuar nga ankthi

për lindjen e afërt të Foshnjes,

e të shqetë, sepse ishte regjistrimi

e edhe ju  duhet ta linit vendin tuaj, Nazaretin

e të shkonit në Betlehem…

Ti e di, o Zojë, ç’do të thotë  të kesh në kraharor jetën,

e të rrethohesh nga indiferenca, mospranimi, e shpesh edhe nga përbuzja.

Të kërkoj, prandaj,  të jesh pranë familjeve që sot,

në Romë, në Itali e në botën mbarë jetojnë si ju, ato ditë!

Ndërmjetëso, që të mos braktisen, por të ketë kush t’ua mbrojë të drejtat,

të drejtat njerëzore që vijnë para çdo kërkese tjetër të ligjshme.

O Mari e Papërlyer!

Agim i shpresës në horizontet e njerëzimit:

vigjilo mbi këtë qytet,

mbi shtëpitë, shkollat, zyrat, dyqanet

fabrikat, spitalet, burgjet;

Në asnjë vend të mos mungojë ç’ka më të çmuar Roma,

që e ruan për botën mbarë. Testamentin e Jezusit:

“Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha vetë” (krh Gjn 13, 34)

Amen

Ditë feste e ditë vizitash, për Papën

Ditë tejet e ngarkuar për Papën: pas homazheve te këmbët e Marisë, që ngrihet mbi shtyllën e lartë, sot rrethuar me mijëra lule shumëngjyrëshe. kopsht plot aromë, rreth e rreth shtyllës, u ndalua për disa çaste në selinë e gazetës romake “Il Messaggero”, për të përshëndetur drejtuesit dhe personelin. Të mos harrojmë, është gazeta e Romës, e Françesku, Papa i Romës! Që jeton në e me lajmet e, sidomos me zemrën e Qytetit të Amshuar. Pa harruar për asnjë çast gjithë botën: “Urbi et Orbi”.

 

08 dhjetor 2018, 16:34