Papa Françesku Papa Françesku 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit

Nga audienca e përgjithshme e Papës Françesku, në takimin me Uniapac e me vullnetarët e "Sardenja solidare": një javë me Atin e Shenjtë e me Vatikanin.

R.SH. - Vatikan

audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku përfundoi katekizmin kushtuar Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Shpirti Shenjt, kujtoi, mbjell në shpirtin tonë dëshirat e tij të shenjta, filizat e jetës së re.

Kjo audiencë u karakterizua nga një episod i këndshëm jashtë programit. Një fëmijë i vogël, pa pyetur për rregulla e prindër, vrapoi mbi shkallët e podiumit, në Sallën Pali VI, për të arritur tek Papa e për ta përqafuar atë. Natyrisht, Ati i Shenjtë, pa u mërzitur aspak, e përqafoi dhe vërejti se ky fëmijë i padisiplinuar është i lirë. Kjo është liria, për të cilën flet Jezu Krishti, kur thotë se duhet të bëhemi si fëmijët.

Më 28 nëntor, Papa Françesku u dërgoi një mesazh pjesëmarrësve të Kongresit të 26-të Botëror të Uniapac – Bashkimi Ndërkombëtar i Shoqatave të Drejtuesve Katolikë – që përfundoi në Lisbonë. Ati i Shenjtë i ftoi ndërmarrjet të ndërtojnë një shoqëri më njerëzore e më vëllazërore.

Bergoglio u kujtoi drejtuesve katolikë tri parime ungjillore. Njerëzit, marrë veç e veç, duhet të jenë në qendër të ndërmarrjes, e cila duhet të kthehet në familje, ku punëtorët “i përdorin talentet e aftësitë e tyre, në shërbim të së mirës së përbashkët, duke e ditur se dinjiteti dhe jeta e tyre respektohen e jo thjesht, shfrytëzohen”. Papa vuri theksin edhe mbi parimin e së mirës së përbashkët dhe mbi atë të vlerës morale dhe ekonomike të punës, “mënyra jonë për të bashkëpunuar me Zotin”, nënvizoi.

Të premten, Papa Françesku priti në Sallën Pali VI, në Vatikan, rreth 700 anëtarë të Qendrës së shërbimeve për vullnetariatin “Sardenja solidare”, në 20-vjetorin e themelimit. “Shërbimi i vullnetariatit solidar – u tha atyre – të bën të lirë e të vëmendshëm ndaj nevojave të tjetrit; ndaj kërkesave të drejtësisë, të mbrojtjes së jetës e të gjithësisë, me kujdes të veçantë, plot dhembshuri për të sëmurët e të moshuarit, që janë thesar urtie!” Papa i falenderoi vullnetarët sardë, që dinë të mirëpresin edhe emigrantët, të cilët vijnë nga larg, në kërkim të paqes e të punës.

Në një konferencë mbi don Primo Mazzolari-n, në selinë e UNESCO-s, në Paris, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kujtoi impenjimin e famullitarit italian kundër çdo dhune. “Don Primo Mazzolari – nënvizoi – ishte ndërtues i vërtetë i paqes. Mësimet e tij na kujtojnë se paqja është pasuri, që duhet kërkuar për të gjithë, edhe për ata, që nuk e meritojnë dhe, se është fryt i impenjimit të gjithë njerëzve vullnetmirë”.

Don Primo Mazzolari iu kundërvu fashizmit, gjatë Luftës II Botërore, qe partizan e shkrimtar, një nga figurat më të shquara të gjysmës së parë të ‘900-ës në Itali. Mendimi i tij u parapriu disa çështjeve doktrinore e baritore të Koncilit II të Vatikanit, sidomos ato që lidhen me “Kishën e të varfërve”, me lirinë fetare, me pluralizmin, me “dialogun me të largëtit”, me dallimin ndërmjet fajit dhe fajtorit, etj..

Ndërsa përfundon takimi i G20-ës në Buenos Aires, Selia e Shenjtë mban qëndrim ndaj pohimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili theksoi se nuk beson që ndryshimet e klimës shkaktohen nga njeriu, duke justifikuar kështu daljen e SHBA-ve nga marrëveshjet për reduktimin e gazit serë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, deklaroi javën e kaluar se “bashkësia ndërkombëtare duhet të ecë përpara në impenjimin për klimën, për të cilin Ati i Shenjtë ka dhënë këshilla të qarta në enciklikën ‘Laudato si’’”. Kërkohet solidariteti i gjithë botës me brezin e sotëm, një pjesë e të cilit vuan për shkak të këtyre ndryshimeve klimatike, si edhe me brezat e ardhshëm, që duhet të gjejnë një botë të banueshme.

02 dhjetor 2018, 09:22