Kërko

Papa: T’i sheshojmë “gropat” e indiferencës, në një botë ku ka shumë ashpërsi e fodullëk.

Papa i thotë “jo” mendësisë së botës e sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujton me forcë se: “Qendra e jetës sonë është Jezusi dhe Fjala e Tij plot dritë, dashuri, ngushëllim”.

R: SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku kërkoi që, gjatë Kohës së Ardhjes, të bëjmë gjeste konkrete, të cilat dëshmojnë “kujdesin” për të afërmin, e të mos dorëzohemi përballë “portës së mbyllur”, por të përpiqemi të hyjmë! Përvujtërisht.

Së pari, duke sheshuar gropat e krijuara nga ftohtësia e indiferenca e duke ia hapur zemrën të tjerëve me përzemërsinë e vëmendjen vëllazërore të njeriut, që i shikon nevojat e të afërmit, si të ishin të vetat. Pastaj duke ndryshuar shumë sjellje të ashpra, shkaktuar nga mendjemadhësia e krenaria e duke kryer gjeste konkrete pajtimi me vëllezërit tanë.

Kështu bëhet konkrete kjo udhë drejt kthesës, që na e kërkon Ungjilli i kësaj Kohe të Ardhjes - shpjegoi Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot -  duke vijuar të kujtojë  se kthesa është e plotë, nëse na ndihmon t’i pranojmë përvujtërisht gabimet tona, pabesitë e të metat tona:

“Sa e sa njerëz, ndoshta edhe pa dashur, janë krenarë, të ashpër, nuk dinë ç’është përzemërsia ndaj të afërmit” - kujtoi Papa, duke folur lirisht gjatë katekizmit, nga dritarja e Pallatit Apostolik. E shtoi:

“Nuk mund të kesh lidhje dashurie, dhembshurie, vëllazërie me të afërmin, nëse ndërmjet ka gropa. Është  si puna e rrugës, nuk mund të ecësh mirë, nëse ka shumë gropa…”.

Duhet, atëhere, të ndryshohet sjellja. Hapi i parë është të pajtohesh: nuk është e lehtë, sigurisht - pranoi Papa - mendohet gjithnjë se kush duhet ta bëjë hapin e parë… Po Zoti na ndihmon, kur pajtohemi me gjithë zemër!

Në këtë udhë kthese, që e bën konkrete pritjen e Krishtlindjes - shtoi - figura, e cila na prin për t’ia gatitur rrugën Zotit, që vjen e për t’ia hapur shtigjet në shkretëtirë, është Gjon Pagëzuesi. Ashtu si ai, duhet të bëhemi të afërm me vëllain - rikujtoi Papa - duke parë perspektivat e shpresës, edhe atje, ku jeta duket e papërballueshme. Atje, ku ka veç dështim e disfatë.

Shën Gjon Pagëzuesi i ftonte njerëzit e kohës së tij për kthesë me forcë, me ngulm e ashpërsi. Por dinte edhe të dëgjonte, dinte të sillej dhembshurisht e dinte edhe të falte.

Të përvuajtur, por guximtarë

E pikërisht për të ecur në hullinë e dëshmisë së jetës, që na e jep Gjoni,  Françesku i ftoi të gjithë dishepujt e sotëm të Jezusit të jenë dëshmitarë të përvuajtur, por guximtarë:

“Nuk mund të dorëzohemi përballë situatave negative të mbylljes e të refuzimit, nuk duhet të lejojmë të na nënshtrojë mendësia e botës, sepse qendra e jetës sonë është Jezusi dhe Fjala e Tij plot dritë, dashuri, ngushëllim. Është Ai!”

Thirrje për ta dëshmuar Mbretërinë e Zotit

“Edhe sot, dishepujt e Jezusit thirren të jenë dëshmitarë të përvuajtur, por edhe guximtarë, për të rindezur shpresën e për ta kuptuar të gjithë se mbretëria e Zotit vijon të ndërtohet ditë për ditë me fuqinë e Shpirtit Shenjt”.

Të mendojmë si mund ta ndryshojmë sadopak sjelljen tonë në këto ditë, kur jehon ftesa për kthesë, në pritje të dritës së Betlehemit.

Virgjëra Mari na ndihmoftë t’ia përgatisim ditë për ditë udhën Zotit, duke u nisur nga vetvetja e të hedhim rreth nesh farë paqeje, drejtësie, vëllazërie.

Në përfundim, nga ana e Papës, për gjithë shtegtarët e teleshikuesit, urimi: “Udhë të mbarë në Kohën e Ardhjes e të diel të gëzuar!”. Pa munguar, në fund, ajo që tashmë është bërë formulë: “Mos harroni, ju lutem, ta thoni një uratë për mua!”.

 

09 dhjetor 2018, 14:55