Kërko

Papa ndez një qiri dhe lutet për “paqen në Siri”

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa, duke u bashkuar me nismën e “Ndihmë për Kishën që Vuan”, ndezi një qiri dhe u lut që të krishterët të mbeten në Siri dhe në Lindjen e Mesme.

R. SH. - Vatikan

“Koha e Ardhjes është kohë shprese. Në këtë çast dëshiroj ta bëj timen shpresën e fëmijëve për paqen në Sirinë e martirizuar nga lufta, që vijon prej tetë vjetësh”. Ky, pohimi i Papës sot, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot. Françesku u bashkua me fushatën e lutjes “Qirinj për paqen në Siri”, organizuar nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”. Ati i Shenjtë ndezi një qiri, së bashku me shumë fëmijë sirianë e besimtarë,  që do ta ndriçojnë sot mbarë botën me flakën e qirinjve, simbol i paqes:

“Kjo flakë shprese e shumë flakë të tjera, do ta davarisin errësirën e luftës! Të lutemi e t’i ndihmojmë të krishterët të mbeten në Siri e në Lindjen e Mesme, si dëshmitarë të mëshirës, të faljes e të pajtimit. Uroj që flaka e shpresës të arrijë edhe tek të gjithë ata, që këto ditë vuajnë nga konfliktet dhe tensionet në një mori visesh të botës, të afërta e të largëta. Lutja e Kishës i ndihmoftë ta ndjejnë afërsinë e Zotit besnik e ta prekë çdo ndërgjegje për t’u angazhuar sinqerisht në favor të paqes. E edhe që Hyji, Zoti ynë, t’i falë ata, që bëjnë luftëra, që bëjnë armë për të shkatërruar e t’ua shndërrojë zemrat. Të lutemi për paqen në Sirinë e dashur!”.

Qirinj për paqen në Siri

Në Fushatën “Qirinj për paqen në Siri”, që nisi sot, në të Dielën I të Kohës së Ardhjes, morën pjesë 50 mijë fëmijë të besimeve të ndryshme. Vijnë  nga shumë qytete siriane, të dëmtuara rëndë nga lufta. Ndërmjet tyre, Halebi, Damasku, Homsi, Marmarita, Hassaké, Tartus e Latakia. Të vegjlit u lutën e realizuan vizatime. Përmes kryqeve, pëllumbave e mesazheve të shpresës, vogëlushët sirianë, viktimat e para të konfliktit, që vijon ta rrënojë vendin, i drejtuan botës britmën e tyre për paqen. Më pas, video-nisma “Qirinj për Paqen në Siri”, botuar në faqen e internetit të Ndihmë për Kishën që Vuan.

Plan ndihmash për Sirinë

Ndihmë për Kishën që Vuan e shoqëron nismën “Qirinj për paqen në Siri”, me një fushatë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve. Është plan ndihmash emergjence, për një shumë prej 15 milionë eurosh, e cila u shtohet më se 29 milionë e 350 mijë eurove dhuruar nga Fondacioni Papnor në fillim të konfliktit, më 2011. Plani i ndihmave përfshin, ndërmjet tjerash, shpërndarjen e pakove me ushqime, ilaçe e qumësht pluhur, dhuratë e Krishtlindjes për 15 mijë të vegjël.

02 dhjetor 2018, 13:45