Kërko

Papa Françesku me fëmijët në audiencën e përgjithshme Papa Françesku me fëmijët në audiencën e përgjithshme 

Papa: të drejtat e njeriut në qendër, edhe pse kundër rrymës

Në një mesazh për Konferencën ndërkombëtare mbi “Të drejtat e njeriut në botën bashkëkohore: fitore, mungesa e mohime”, me rastin e 70-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Papa Françesku u bën thirrje qeveritarëve t’i vënë këto të drejta në qendër, edhe kur u duhet të shkojnë kundër rrymës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku u drejton një thirrje të fuqishme atyre, që “kanë përgjegjësi institucionale, duke u kërkuar t’i vendosin të drejtat e njeriut në qendër të të gjitha politikave, përfshirë ato të bashkëpunimit për zhvillim, edhe kur kjo do të thotë të shkosh kundër rrymës”. E bën këtë në një mesazh për pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi “Të drejtat e njeriut në botën bashkëkohore: fitore, mungesa e mohime”, organizuar në Romë nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe nga Universiteti Papnor Gregorian, me rastin e 70-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Mesazhi u lexua nga prefekti i Dikasterit vatikanas, kardinali Peter Appiah Turkson.

Çdo njeri ka dinjitet të barabartë me të tjerët

         Ambasadorëve pranë Selisë së Shenjtë, përfaqësuesve të institucioneve të OKB-së, të Këshillit të Evropës, të Komisioneve ipeshkvnore “Drejtësi dhe Paqe” e të atyre për baritorinë shoqërore, anëtarëve të botës akademike dhe të organizatave të shoqërisë civile, mbledhur në Gregoriana deri nesër, Papa u kujton se me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nënshkruar më 10 dhjetor 1948, si edhe me Deklaratën e Programin e veprimit të Vienës, miratuar më 10 dhjetor 1993, “familja e Kombeve deshi t’i njohë dinjitet të barabaratë çdo njeriu”. Nga ky dinjitet, “rrjedhin të drejta e liri themelore”, të cilat janë “universale, të pandashme, të ndërvarura e të ndërlidhura”. Në të njëjtën mënyrë, rrjedhin edhe detyrat.

Modeli i bazuar mbi fitimin shkakton padrejtësi

         Duke folur për shoqërinë e sotme, Papa Françesku vë në dukje kontradiktat e saj e pyet nëse dinjiteti i njeriut, sanksionuar 70 vjet më parë, respektohet e mbrohet në çdo rrethanë. “Ekzistojnë sot në botë shumë forma padrejtësie – denoncon Ati i Shenjtë – ushqyer nga botëkuptime antropologjike reduktive dhe nga një model ekonomik i bazuar mbi fitimin, që nuk heziton ta shfrytëzojë, ta mënjanojë e madje, ta vrasë njeriun”. Në qendër të kritikës së Papës, ndarja e botës në të pasur e në të varfër të skajshëm, por sidomos mohimi i së drejtës së fëmijëve për të ardhur në botë, mungesa e mjeteve dinjitoze të jetesës për shumë vetë, pamundësia e arsimimit, privimi nga puna e skllavërimi i njeriut. Ati i Shenjtë mendon edhe për të burgosurit në kushte çnjerëzore, që torturohen e nuk u jepet mundësia për të ndryshuar jetë, për të zhdukurit dhe për familjet e tyre.

Të diskriminuarit për shkak të racës dhe viktimat e tregtarëve të vdekjes

         Viktima të padrejtësisë, shton Papa Françesku, janë edhe ata, që “jetojnë në një atmosferë ku mbizotëron dyshimi e përbuzja, ata që bëhen objekte të intolerancës, diskriminimit e dhunës, për shkak të racës, etnisë, kombit, ose fesë”. Gjithashtu, edhe ata, që pësojnë dhunime të të drejtave në konfliktet e armatosura, “ndërsa tregtarët e vdekjes, pa skrupuj, pasurohen me çmimin e gjakut të vëllezërve e motrave të tyre”.

Drejtësi e solidaritet: Ungjilli i të krishterëve

         Së fundi, pasi u bën thirrje të gjithëve të kontribuojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Ati i Shenjtë ndalet në detyrat e të krishterëve. Ungjilli i Krishtit, pohon, u jep drejtësisë e solidaritetit kuptim të veçantë, prandaj i fton të gjithë të krishterët “të impenjohen konkretisht për të lehtësuar vuajtjet” e më të vegjëlve. “Këto ditë reflektimi – uron Papa Françesku në mesazh – të shërbejnë për të zgjuar ndërgjegjet e për të frymëzuar nisma, që mbrojnë dhe promovojnë dinjitetin njerëzor”.

10 dhjetor 2018, 14:43