Kërko

Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, Mahmoud Abbas, president i shtetit të Palestinës Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, Mahmoud Abbas, president i shtetit të Palestinës 

Papa priti në audiencë presidentin e shtetit të Palestinës

Gjatë bisedimeve u vunë në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Palestinës, si dhe roli pozitiv i të krishterëve dhe i veprimtarisë së Kishës në shoqërinë palestineze, sanksionuar nga marrëveshje globale e vitit 2015

R.SH. - Vatikan

Paraditen e 3 dhjetorit Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, Mahmoud Abbas, president i shtetit të Palestinës, i cili më pas u takua me Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, Kryeipeshkvin imzot Paul Gallagher.

Gjatë bisedimeve të përzemërta u vunë në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Palestinës, si dhe roli pozitiv i të krishterëve dhe i veprimtarisë së Kishës në shoqërinë palestineze, sanksionuar nga marrëveshje globale e vitit 2015.

Bisedimet pastaj u përqendruan mbi rrugën e pajtimit brenda popullit palestinez, si dhe rreth përpjekjeve për të riaktivizuar procesin e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve dhe arritjen deri te zgjidhje e dy shteteve, duke uruar e shpresuar në një angazhim të ripërtërirë të bashkësisë ndërkombëtare në përmbushjen e aspiratave legjitime të dy popujve. Vëmendje e veçantë i është kushtuar statusit të Jerusalemit, duke theksuar rëndësinë e njohjes e të ruajtjes së identitetit si dhe të vlerave universale të qytetit të shenjtë për të tre fetë abrahamike.

Së fundi, u fol për konflikte të tjera që po e mundojnë Lindjen e Mesme dhe për urgjencën e inkurajimit të shtigjeve të paqes dhe të dialogut, me kontributin e komuniteteve fetare, për të luftuar, kështu, të gjitha format e ekstremizmit dhe të fundamentalizmit.

03 dhjetor 2018, 15:36