Françesku: nuk duhet të mbyllesh në skutën e jetës sate
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, e para e Kohës së Ardhjes, Papa shpjegoi si duhet jetuar kjo kohë liturgjike, që na përgatit për Krishlindje, domethënë, për ardhjen e Jezusit, por që na kujton edhe pritjen e kthimit të lumnueshëm të Krishtit, duke e ftuar secilin nesh të përgatitet për takimin përfundimtar me Të, me sjellje koherente e guximtare:
“Në këto katër javë jemi të thirrur të dalim nga caqet e jetës së rëndomtë e të ushqejmë shpresa e ëndrra për një të ardhme të re. Ungjilli i kësaj së dieleje na nxit të ecim në këtë drejtim e na tërheq vëmendjen të mos ia lejojmë vetes të na shtypë stili egocentrik i jetës dhe ritmet e ethshme të ditëve tona”.
Vigjilencë dhe pritje e Jezusit
Jezusi, në fragmentin e sotëm të Ungjillit, na thotë: “Kini mendjen!”. E akoma: “Vigjiloni çast për çast, duke u lutur”:
“Zgjuar e duke u lutur: ja sesi duhet jetuar kjo kohë, qysh sot e deri për Krishtlindje. Gjumi shpirtëror lind nga të rrotulluarit gjithnjë rreth vetvetes e nga mbyllja në problemet tona e në jetën tonë, në gëzimet e në dhembjet e saj”.
Hapjani zemrën të tjerëve e mundësive për të jetuar në një botë të re
Të vigjilosh - pohoi Papa - do të thotë të shikosh përtej vetvetes, t’ia hapësh zemrën vëllezërve dhe të dëshirosh një botë të re:
“Është dëshirë e shumë popujve të martirizuar nga uria, padrejtësia e lufta: dëshirë e të varfërve, të ligshtëve, të braktisurve. Kjo kohë është për ta hapur zemrën, për të menduar konkretisht si e për kë duam ta jetojmë jetën tonë”.
Ta ruajmë me kujdes identitetin e krishterë
Duhet të lutemi, ta presim Jezusin, t’ia hapim zemrën të tjerëve, të jemi mes tyre, jo të mbyllur brenda vetes. Por nëse mendojmë për Krishtlindjen në një epokë konsumizmi, në një kohë kur shqetësohemi vetëm për gjërat që duhen blerë, për punët që duhen bërë e për kremtimin e festës me mendësinë e botës, Jezusi do të kalojë e ne nuk do ta gjejmë. Ne e presim Jezusin e dëshirojmë ta presim në lutje, që lidhet ngushtë me vigjilencën. Kjo kohë na kërkon të rrimë zgjuar!.
Në Leximin I të kësaj së dieleje, Jeremia profet e fton të shpresojë popullin e lodhur nga mërgimi, që rrezikon ta humbasë identitetin e tij. E Papa vërejti se edhe ne rrezikohemi ta humbasim identitetin tonë, rrezikohemi të jetojmë me mendësinë e botës, madje, “ta paganizojmë” stilin e krishterë. Ashtu si atëhere populli i Izraelit, kemi nevojë të besojmë se Zoti do t’i realizojë premtimet, që na bëri.
Maria, Gruaja e pritjes
Pastaj, lutja e Françeskut drejtuar Marisë, Nënës së Jezusit, që të na shoqërojë në mënyrë të veçantë në Kohën e Ardhjes:
"Virgjëra Mari, që na sjell Jezusin, grua e pritjes dhe e lutjes, na ndihmoftë ta forcojmë shpresën tonë në premtimet e të Birit, Jezus, që ta provojmë se, përmes mundimeve të historisë, Zoti mbetet gjithnjë besnik e i përdor edhe gabimet njerëzore për ta dëshmuar mëshirën e tij të pambaruar”.
Lutja për Sirinë
Në përfundim, Papa, duke u bashkuar me nismën e Ndihmë për Kishën që Vuan, u lut për paqen në Sirinë e dashur! Ndezi, më pas, një qiri të trashë, simbol i shpresës se në të gjithë Lindjen e Mesme së shpejti do të rikthehet paqja aq e dëshiruar. Gjest që po vijojnë ta bëjnë mijëra njerëz, deri sa të bjerë nata. E edhe natën dritëzat e qirinjve do të vijojnë ta ndriçojnë rrotullimin e botës, duke i kujtuar se duhet të sjellë një agim të ri, posaçërisht për Sirinë!