Papa në Engjëllin e Tënzot: “T’ia besojmë çdo ditë vetveten Zotit, si Maria”

Sot, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer, Papa Françesku, duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot, ftoi që çdo mëngjes të thuhet: “Ja ku jam, o Zot, sot u bëftë mbi mua vullneti yt!”. Më pas, kërkoi lutje për viktimat e tragjedisë së Corinaldos dhe kujtoi lumnimin e 19 martirëve të Algjerisë, “nxitje për të ndërtuar së bashku një botë me vëllazërim e solidaritet”.

Ashtu si Maria përpara Engjëllit “do të ishte bukur të thoshim çdo mëngjes: “Ja ku jam, o Zot, sot u bëftë mbi mua vullneti yt!”. Ja ku jam - kjo është fjala kyçe e jetës. Nuk është të jetuarit duke u varur nga problemet, por duke ia besuar Zotit veten në çdo ditë të jetës. Kështu, në Solemnitetin e të Zënit pa Mëkat të Marisë, Papa, nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, si zakonisht përplot me besimtarë, i ftoi të gjithë të mos i përgjigjen Zotit si Adami pas mëkatit të rrjedhshëm: “Pata frikë, e u fsheha!”, por, si Maria pa mëkat: “Ja shërbëtorja e Tënzot!”.

Ja ku jam: fjala kyçe e jetës

Ja ku jam - shpjegoi Papa - është e kundërta e “u fsheha”. Ja ku jam  e hap zemrën për Zotin, ndërsa “u fsheha” e mbyll, të lë vetëm me vetveten, “Ja ku jam” shënon kalimin nga jeta horizontale, përqendruar mbi veten e mbi nevojat vetjake, në një jetë vertikale, të drejtuar kah lartësitë e pafundme të Zotit:

“Ja ku jam do të thotë të jesh gati për Zotin. ‘Ja ku jam!’ është kurë për egoizmin, shpëtim për një jetë, së cilës i mungon gjithnjë diçka. Ja ku jam është ilaç kundër plakjes nga mëkati, është sekreti për të mbetur gjithnjë të rinj. Ja ku jam, do të thotë të besosh se Zoti vlen shumë, shumë më tepër se uni im,”

Hiri i së Papërlyerës, në nderimin e Papës

T’i themi çdo mëngjes Zotit: “U bëftë mbi mua vullneti yt!”. Sepse - kujtoi Françesku - të thuash ja ku jam, është lavdërimi më i madh, që mund t’i bëjmë Zotit. Pse të mos i nisim kështu ditët tona?

“Do të ishte mirë të thoshim çdo mëngjes: “Ja ku jam, o Zot, sot u bëftë mbi mua si është Fjala jote!”. E themi në lutjen e Engjëllit, por mund edhe ta përsërisim çdo orë, së bashku. Ja ku jam, o Zot, sot u bëftë mbi mua vullneti yt!”.

Lutja për të vdekurit në Corinaldo

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi 6 viktimat e tragjedisë, që ndodhi mbrëmë në Corinaldo të Marche-ve:

“Siguroj se i kujtoj në lutjen time të rinjtë dhe nënën, që vdiqën sonte në një diskotekë të Corinaldos, pranë Anconës, ashtu si dhe të plagusurit e shumtë. Kërkoj për të gjithë, ndërmjetsimin e Zojës së Bekuar”.

Duatrokitje për të Lumët e rinj të Algjerisë

Papa kujtoi, më pas, se sot, në Shenjtëroren e Zojës së Shenjtes Krygjë, në Oran të Algjerisë, u lumnuan ipeshkvi Pierr Claveries dhe 18 shokë, rregulltarë e rregulltare, të vrarë për fenë: “Martirë të kohës sonë – I quajti Papa - lajmëtarë besnikë të Ungjillit, ndërtues të përvujtë të paqes dhe dëshmitarë heroikë të dashurisë së krishterë”.

E, në përfundim, Françesku kujtoi edhe Veprimin katolik Italian, shoqatë që. prej 150 vjetësh, është dhuratë për udhën e Kishës në Itali e që sot  u pasurua me anëtarë të rinj, në sa kremtonte ditën e  anëtarësimeve të reja.

08 dhjetor 2018, 15:27