Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: gëzim i plotë, nëse zemra jonë është në Zotin

Të brohorasim nga gëzimi, të kënaqemi, të galdojmë! Kjo, ftesa që vjen nga Liturgjia e së Dielës III të Kohës së Ardhjes. Prej këndej Papa, duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot, u kujtoi gjithë besimtarëve se Zotit dhe prania e Tij ndërmjet nesh, është burim i gëzimit dhe i paqes së vërtetë.

R. SH. - Vatikan

“Në një qytezë të humbur të Galilesë, në zemrën e një vashe të panjohur nga bota, Zoti shkrepi shkëndijën e lumturisë për mbarë njerëzimin”. Me këto fjalë Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, sintetizoi mesazhin e së dielës, 16 dhjetor 2018, që  Liturgjia e Kohës së Ardhjes e kujton si e Diela “Gaudete” - “Gëzohuni!”. Ndërsa pas lutjes, Papa kujtoi miratimin e “Paktit Botëror për emigrim të sigurt, të disiplinuar e të rregullt”, duke uruar që bashkësia ndërkombëtare të veprojë me përgjegjësi, solidaritet e mëshirë ndaj emigrantëve, që detyrohen t’i lënë vendet e tyre.

Zoti-me-ne, gurrë e gëzimit dhe e paqes

Besimtarëve, mbledhur rreth Bredhit shtatlartë të festës dhe Shpellës së Betlehemit, ngritur në zemrën e Sheshit të Shën Pjetrit, Papa u përsëriti fjalët, që Sofonia profet ua drejton tepricave të popullit të Izraelit: “Gëzohu, Bija e Sionit! Zoti e tërhoqi dënimin. Zoti fal, nuk dënon, ka një dashuri të pashterrshme, si dashuria e atit për bijtë, e dhëndrit për nusen”. Nuk duhet të trishtohemi më, prandaj, as të shqetësohemi. Kjo, thirrja e Profetit, posaçërisht e përshtatshme gjatë përgatitjes shpirtërore për Krishtlindje sepse - shpjegoi Papa - na kujton Jezusin, Emmanuelin, Zotin-me-ne”, prania e të cilit është burim i pashterrshëm gëzimi:

“Në një qytezë të humbur të Galilesë, në zemrën e një vashe të panjohur nga bota, Zoti shkrepi shkëndijën e lumturisë për mbarë njerëzimin. E sot i i drejton të njëjtin kumt Kishës, e cila duhet ta mikpresë Ungjillin, që të bëhet korp, jetë konkrete. E i thotë Kishës, ne të gjithëve: ‘Gëzohu, bashkësi e vogël e krishterë, e varfër dhe e pëvuajtur, por e bukur para syve të mi, sepse dëshiron me gjithë zemër Mbretërinë time, ke etje e uri për drejtësi, end me durim përlhurë paqeje, nuk rend pas pushtetarëve të turnit, por mbetesh besnike pranë të varfërve. E nuk të trembet syri nga asgjë, por zemra jote galdon’”.

Nëse ne shkojmë kështu, zemra jonë do të jetë gjithnjë plot me gëzim. Me gëzim të madh, kur është përplot, e me gëzim të përvuajtur ditë për ditë, domethënë, me paqe. Paqja është gëzim më i vogël, por gjithnjë gëzim!

Të gëzuar, sepse Zoti nuk na lëshon kurrë dore

Papa ftoi të jemi plot me gëzim, sepse Zoti është pranë. E takojmë edhe në Leximin II, në fjalët e Shën Palit drejtuar Filipianëve. Edhe Apostulli - nënvizoi Papa - na nxit të mos shqetësohemi, të mos e humbasim shpresën për asgjë, por në çdo ngushticë t’ia besojmë Zotit nevojat tona, shqetësimet tona, shpresat tona e t’i lutemi gjithnjë të na e drejtojë jetën tonë:

“Vetëdija se në çdo vështirësi mund t’i drejtohemi Zotit e se Ai nuk do t’i mbyllë veshët para lutjeve tona, është burim i madh gëzimi. Asnjë shqetësim, asnjë farë frike nuk do të mundet kurrë të na e rrëmbejë qetësinë, që nuk vjen nga ndërhyrje njerëzore, nga ngushëllime njerëzore: jo, qetësia vjen nga Zoti, nga që e dimë se Zoti i prin dashamirësisht jetës sonë, e këtë e bën përgjithmonë. Edhe në mes të problemeve, në mes të vuajtjeve, kjo siguri ushqen shpresën e guximin”.

Koha e Ardhjes, kohë kthese

Gëzohuni është brohoria, që e pushton gjithë këtë të dielë, fare pranë Krishtlindjes, por ftesa e Zotit - nënvizoi akoma Papa - mund të pranohet vetëm nëse jemi të aftë ta vëmë në diskutim vetveten. Ardhja e Mesisë, që Gjon Pagëzuesi e profetizon në Ungjillin e sotëm, shoqërohet me pyetje, drejtuar njerëzve, të cilët ndjekin predikimet e tij në Galile dhe e pyesin: “Ti predikon kështu”, e ne “ç’duhet të bëjmë?”(Lk 3,10) . Është pyetje, që duhet t’ia bëjë secili prej nesh vetvetes, duke i kërkuar ndihmë Marisë:

“Kjo pyetje është hapi i parë i kthesës së nevojshme për këtë kohë pritjeje. Secili prej nesh të pyesë: ‘Ç’duhet të bëj? Një gjë të vogël, por ç’gjë?’ Zoja e Bekuar, që është Nëna jonë, na ndihmoftë t’ia hapim zemrën Zotit-që-vjen, e Ai ta mbushë me gëzim gjithë jetën tonë”.

Një mendim për emigrantët

Në përfundim të lutjes mariane Papa, në përshëndetjet drejtuar besimtarëve, uroi që bashkësia ndërkombëtare ta vërë në jetë Paktin botëror për emigrim të sigurt, të disiplinuar e të rregullt, miratuar javën e kaluar në Marok, duke uruar “të veprojë me përgjegjësi, solidaritet e mëshirë ndaj emigrantëve, që detyrohen t’i lënë trojet e tyre”.

 

16 dhjetor 2018, 15:16