Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa në audiencën e përgjithshme: lutja fillon me vetë jetën e na çliron nga dëshpërimi

Në Sallën Pali VI, Papa Françesku vijon katekizmin mbi lutjen “Ati ynë”, filluar javën e kaluar. Në qendër të audiencës së përgjithshme, tema “Një lutje, që i kërkon diçka Zotit, plot besim”.

R.SH. - Vatikan

Lutja “Ati ynë” është “e shkurtër”, por “e guximshme”: “Jezusi nuk na mëson formula për ta ‘bërë për vete’ Zotin, por na fton t'i lutemi, duke rrëzuar pengesat e nënshtrimit dhe të frikës”. Këtë nënvizon Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan. Gjatë takimit tradicional të së mërkurës, Papa vazhdon katekizmin kushtuar lutjes “Ati ynë”, uratës që ua mëson dishepujve vetë Jezu Krishti.

Jo formulave për “ta bërë për vete” Zotin

Papa Bergoglio kujton se në “Atynën” nuk ka asnjë lloj paramendimi. Në të gjejmë vetëm besimin e bijve në Hyjin Atë.

Lutja “Ati ynë” i ka rrënjët në realitetin konkret të njeriut. Për shembull, na bën të kërkojmë bukë, bukën e përditshme: kërkesë e thjeshtë por thelbësore, e cila na thotë se besimi nuk është çështje “dekorative”, e shkëputur nga jeta, që vjen kur plotësohen të gjitha nevojat e tjera. Përkundrazi, lutja fillon me vetë jetën. Lutja - na mëson Jezusi - nuk fillon gjatë jetës njerëzore pasi mbushet barku: ajo bën fole kudo ku ndodhet njeriu, çdo njeri, që ka uri, derdh lot, lufton, vuan dhe pyet “pse”.

Kërkimi i përhershëm i lumturisë

Në një farë mënyre, “lutja jonë e parë” është “vajtimi që shoqëroi frymëmarjen e parë”, një vaj që kumton “fatin e gjithë jetës sonë: urinë tonë të vazhdueshme, etjen e përhershme, kërkimin e lumturisë”.

Jezusi, në lutje, nuk dëshiron ta shuajë njerëzoren, nuk do ta anestetizojë atë. Nuk dëshiron që t'i zbusim pyetjet dhe kërkesat, duke mësuar të durojmë gjithçka. Në vend të kësaj, dëshiron që të gjitha vuajtjet, çdo shqetësim, të lartohet drejt qiellit dhe të bëhet dialog.

Feja është zakoni për ta ngritur zërin

Besimtarëve të pranishëm, Papa Françesku u thotë se të gjithë duhet të jemi si “i verbri, që lypte në portat e Jerikos”. Atij nuk iu bë vonë a e shqetësonte Mësuesin, a bëhej i bezdisshëm me thirrjet e tij: “donte vetëm të shërohej”.

Lutja, jo vetëm i paraprin shëlbimit, por, në një farë mënyre, e përmban atë, sepse na çliron nga dëshpërimi i atij, që nuk beson se ka rrugëdalje nga shumë situata të padurueshme.

Pyeteni Atin, pa frikë

Në të kaluarën, ndokush ka mbështetur teorinë se “lutja që kërkon ndonjë gjë është formë e dobët e besimit”, ndërsa ajo “më e vërteta” është lutja e “lavdërimit të pastër, ajo që e kërkon Zotin, pa barrën e ndonjë kërkese”. Por kjo, thekson Papa, nuk është e vërtetë.

Feja [lutja] që kërkon diçka është e vërtetë! Është spontane! Është akt besimi në Zotin, që është Atë, është i mirë, është i gjithëpushtetshëm. Është akt besimi tek vetvetja, tek unë, që jam i vogël, mëkatar, nevojtar. Prandaj, lutja për të kërkuar diçka është shumë fisnike. Zoti është Ati, që ka dhembshuri të madhe për ne dhe dëshiron që fëmijët e Tij t'i flasin pa frikë, drejtpërdrejt: “O Atë” ose në vështirësi: “O Zot, ç’më bëre?”. Drejtpërdrejt. Prandaj, mund t’i tregojmë gjithçka, edhe gjërat që mbeten të shtrembëra dhe të pakuptueshme në jetën tonë.

Mbrojtja e Zojës së Bekuar të Guadalupes

Ndër përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku kujton solemnitetin e sotëm të Virgjërës së Guadalupes. “Shën Gjon Pali II – nënvizon Ati i Shenjtë – ia besoi mbrojtjes së Saj amnore, jetën dhe pafajësinë e fëmijëve, veçanërisht të atyre, që rrezikojnë të mos lindin”.

12 dhjetor 2018, 13:04