Urdhëri i Zojës së Mercedes Urdhëri i Zojës së Mercedes 

Papa Mercedarëve: sa më pranë “të krishterëve të zënë në kurth” e të flakur nga shoqëria

Në fjalimin drejtuar sot paradite Etërve Mercedarë, pritur në audiencë, në Tetëqindvjetorin e themelimit të Urdhërit të tyre, Papa i nxiti ta vijojnë misionin pranë të krishterëve, që rrezikohen ta humbasin fenë dhe të fundmëve, të burgosurve, jetimëve e të shfrytëzuarve. Rregulltarët shoqëroheshin nga Fra Juan Carlos Saavedra Lucho, Mjeshtër i përgjithshëm i Urdhërit.

R. SH. - Vatikan

Etërit Mercedarë janë të thirrur të dalin, “për të shpëtuar të krishterët, që rrezikohen të humbasin fenë, ta zbehin dinjitetin, të zihen në kurthin e parimeve dhe sistemeve në kundërshtim me Ungjillin”. Në fjalimin, mbajtur spanjisht, rreth 120 Etërve Mercedarë, pritur sot paradite në Vatikan, me rastin e 800-vjetorit të themelimit të Urdhërit të së Lumes Mari të Mercedes, Papa u kërkoi t’i kushtojnë vëmendje të posaçme konceptit të të krishterëve të zënë në kurth, që ngatërrohen me njëmijë punë të botës, e nuk dinë të dalin më, sepse të rënë në një nga format e skllavërisë.

Çojeni mëshirën e Zotit ndërmjet njerëzve, që shikohen e përdoren si hedhurina

Papa i nxiti mercedarët ta vijojnë misionin e Urdhërit  të tyre, lindur më 1218, për çlirimin e skllevërve të krishterë e myslimanë. Kujtoi se rregulltarët, përveç kushtit të varfërisë, bindjes e pastrisë, bëjnë edhe një kusht të kartërt, përmes të cilit angazhohen ta zëvendësojnë të burgosurin, që është në rrezik të humbasë fenë.

Mision i ri: të burgosurit

Pas zhdukjes së skllavërisë, në shekullin XIX - vijoi të kujtojë Françesku - Urdhëri përfshiu në misionin e vet të burgosurit dhe familjarët e tyre. Prandaj…

“…ju ftoj t’ua çoni përsëri shëlbimin e Zotit të burgosurve, refugjatëve, e emigrantëve, atyre që bien në rrjetat e trafikut të njerëzve, të rriturve të ligshtë, fëmijëve jetimë… Çojuani të gjithë atyre, që flaken jashtë radhëve të shoqërisë, dhembshurinë dhe mëshirën e Zotit”.

E, duke kujtuar fjalët e kushtit të katërt, Papa nënvizoi se të ndjekësh Krishtin, do të thotë të japësh jetën për të shpëtuar shpirtrat, jo duke e planifikuar jetën tonë “si të ishte Krishti ai, që duhet të na ndjekë ne, e jo ne Atë”. Sa të vështira - theksoi Papa - janë tekat e rregulltarëve! Për të kujtuar më pas se sot të bugosurit janë dyfish më shumë se në kohët e themelimit të mercedarëve e se për t’u rikthyer në thirrjen e të parëve, duhet dhuruar jo vetëm çka është materiale, çka tepron, por edhe “shijet tona e opinionet tona”.

Tre rreziqet, që paralizojnë shpirtin

Porosia e fundit e Papës: kujdes! Ruajuni nga gjithçka shkakton dremitjen e ndërgjegjes e çon në paralizim shpirtëror!”. Sidomos nga tre rreziqet që sot, ashtu si në epokat e tjera të historisë, e kërcënojnë të krishterin: “bota, djalli e korpi”.

06 dhjetor 2018, 15:13