Kërko

 Martirët e Algjerisë Martirët e Algjerisë 

Papa: Martirët e Algjerisë, persekutimet nuk u përkasin vetëm së kaluarës

Letra e Papës drejtuar kardinalit Becciu me rastin e Lumnimit të 19 martirëve në Algjeri. Jezusi i pati paralajmëruar dishepujt e Tij: “Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria. Nëse më persekutuan mua, do t’ju persekutojnë edhe ju!”.

R. SH. - Vatikan

U botua Letra e Papës drejtuar kardinalit Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, i dërguar i tij i posaçëm në kremtimin eukaristik, që do ta kryesojë më 8 dhjetor, Festa e së Papërlyerës, pranë Shenjtërores së Zojës të Shenjtes Krygjë, në Orano të Algjerisë, me rastin e lumnimit të 19 martirëve.

Nëntëmbëdhjetë martirë, për Algjerinë

19 martirë: ipeshkvi i Oranos, Pierre Claverie dhe 18 rregulltarë të vrarë në Algjeri, në rrethana të ndryshme, gjatë luftës civile në vendin veri-afrikan, në kohën e ndeshjes ndërmjet rebelëve të “Frontit islamik të shpëtimit” dhe ushtarakëve algjerianë, në vitet 1991 e 2001. Në radhët e  këtyre martirëve, janë edhe murgjërit trapistë të Tibhirines, therur mizorisht në vitin 1996.

Më 8 dhjetor, lumnimi i martirëve trapistë të Tibhirines

Në Letrën, shkruar latinisht, Papa kujton se vetë Jezusi, Biri i Zotit, që  u persekutua e vdiq me vdekje mizore në kryq, pa asnjë farë faji, i pati paralajmëruar dishepujt e Tij: “Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria. Nëse më persekutuan mua, do t’ju persekutojnë edhe ju!”(Gjn 15,20). Këto fjalë - shpjegon - vijojnë të  vërtetohen në zona e mënyra të ndryshme kudo nëpër botë, duke na treguar të gjithëve se “persekutimet nuk janë realitet i së kaluarës”. Edhe sot i vuajmë në mënyrë mizore, me shumë martirë bashkëkohorë. Por edhe në mënyrë më të stërholluar, përmes shpifjeve e falsiteteve.

Fe, dashuri e falje

Kisha ka pasur gjithnjë devocion të posaçëm për martirët, që e dëshmuan me gjak fenë dhe dashurinë për Zotitn Jezus. Kështu bënë edhe 19 martirët në trojet algjeriane, që dhanë jetën duke i besuar fjalëve të Jezusit: “Më është dhënë pushtet në qiell e në tokë (...) Ja, unë jam me ju për të gjitha ditët, deri në fund të fundit të botës” (Mt 28, 18.20). Papa i kërkon kardinalit Becciu t’i përcjellë përshëndetjet e tij më  vëllazërore ndjekësve të feve të tjera dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë. Këta të Lum - përfundon Papa - i falën vrasësit e tyre, duke treguar se deshën më shumë jetën e pasosur, e tani  e gëzojnë, atë që deshën e, me ringjalljen e të vdekurve , do ta kenë edhe më plotësisht (Shën Agostini, Predikimi 302,7).

 

06 dhjetor 2018, 15:19