Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa kujton 200-vjetorin e këngës “Stille Nacht”

Kishin ardhur nga Austria – një grup parlamentarësh - për të kremtuar me Papën, në audiencën e përgjithshme të sotme, një ditëlindje krejt të veçantë: 200 vjetorin e ekzekutimit të parë të këngës “Stille Nacht, Heilige Nacht”, e njohur në Shqipëri me titullin “Shenjtja Natë, e qeta Natë”.

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë, ajo u këndua publikisht në një fshat të vogël të Salsburgut, Oberndorf, e askush nuk e priste që kjo këngë e bukur Krishtlindjesh të bëhej e famshme në të gjitha gjuhët e botës. Austriakët nuk munguan t’i japin sot Papës një Cd me muzikë Krishtlindjeje, prodhuar nga parlamentarët për këtë përvjetor, që po jetohet me intensitet të madh në vend, pasi populli e sheh këngën si trashëgimi për t’u mbrojtur me kujdes.

         “Përshëndes veçanërisht delegacionin e parlamentarëve austriakë, ardhur me rastin e 200-vjetorit të këngës së Kërshëndellave ‘Stille Nacht’ – tha Papa Françesku gjatë audiencës. – Me thjeshtësinë e saj të thellë, kjo këngë na bën ta ndiejmë të Shenjten Natë. Krishti Shëlbues, lindur në Betlehem, na zbulon dashurinë e Zotit Atë. Atij dëshirojmë t’ia besojmë gjithë jetën tonë. Udhë të mbarë gjatë Kohës së Ardhjes për të gjithë ju”.

12 dhjetor 2018, 13:00