Kërko

Papa Françesku me ambasadorët e rinj Papa Françesku me ambasadorët e rinj 

Papa Françesku: të respektohet dinjiteti njerëzor për të përballuar konfliktet

Papa u drejtohet ambasadorëve të rinj në Selinë e Shenjtë, që përfaqësojnë Zvicrën, Maltën, Bahamas, Kepin e Gjelbërt, Estoninë, Islandën, Turkmenistanin, Granadën, Katarin dhe Gambian: paqja në botë dhe zhvillimi i gjithanshëm i çdo njeriu dhe i të gjithë popujve janë objektiva të pandashme.

R.SH. - Vatikan

Në dritën e dy përvjetorëve, 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe 70-vjetorit të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Papa Françesku pret në Vatikan ambasadorët e rinj në Selinë e Shenjtë, që përfaqësojnë Zvicrën, Maltën, Bahamas, Kepin e Gjelbërt, Estoninë, Islandën, Turkmenistanin, Granadën, Katarin dhe Gambian. Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë u drejtohet ambasadorëve me bindjen për padobinë e luftës dhe me kërkesën për “të nxitur integrimin e atyre, që trokasin në dyert e vendeve të pasura, për një të ardhme më të sigurtë për vete dhe për fëmijët e tyre”:

“Mësimet e dy luftrave të mëdha të shekullit të njëzetë, që çuan në lindjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vazhdojnë t’i bindin popujt e botës dhe liderët e tyre për padobinë e konflikteve të armatosura dhe për nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me dialog dhe bisedime plot durim”.

Në një botë të shënuar nga “ndryshime të thella shoqërore dhe politike”, Papa Françesku citon hyrjen e Deklaratës, në të cilën theksohet se “nuk mund të dështojë angazhimi” i qeverive dhe i popujve deri sa të vendoset një herë e përgjithmonë se “njohja e dinjitetit për të gjithë anëtarët e familjes njerëzore dhe e të drejtave të tyre, të barabarta dhe të patjetërsueshme, përbën themelin e lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”.

“Është thelbësore që respektimi i dinjitetit njerëzor dhe i të drejtave të njeriut të frymëzojë dhe të drejtojë çdo përpjekje në përballimin e situatave të rënda të luftës dhe të konfliktit të armatosur, të varfërisë shtypëse, të diskriminimit dhe të pabarazisë, që e bëjnë të vuajë këtë botën tonë e vitet e fundit kanë kontribuar në krizën aktuale të emigracionit masiv. Nuk ka zgjidhje të frytshme humanitare për këtë problem të ngutshëm, që mund të injorojë përgjegjësinë tonë morale, si edhe vëmendjen e duhur për të mirën e përbashkët, për të mirëpritur, mbrojtur, promovuar dhe integruar ata, që trokasin në dyert tona, në kërkim të një të ardhme më të sigurt për veten e tyre dhe për fëmijët”.

13 dhjetor 2018, 13:34