Papa Françesku takon në Vatikan, kryeministrin italian Conte

Audiencë private e Papës Françesku me kryeministrin italian Giuseppe Conte. Pas bisedimeve me porta të mbyllura, shkëmbimi tradicional i dhuratave.

R. SH. Vatikan

Vizita e parë e kryeministrit italian Giuseppe Conte në Vatikan. Sot paradite, në orën 10.00, i shoqëruar nga ambasadori i Italisë pranë Selisë së Shenjtë, Pietro Sebastiani, kryetari i qeverisë u prit në audiencë nga Papa Françesku, në Pallatin Apostolik. Në përfundim të bisedës së përzemërt, shkëmbimi tradicional i dhuratave.

Conte i dhuroi Papës tre vëllimet e Komedisë Hyjnore të Dante Aligheri-t në një botim të lashtë, të rrallë. Papa, një kopje të Enciklikës “Lëvduar qofsh” dhe një medalion me një degë ulliri, simbol e urim për paqen. Para se të ndaheshin, kryeministri Conte i bëri Françeskut urimet për ditëlindjen, që do ta kremtojë të hënën, më 17 dhjetor.

15 dhjetor 2018, 13:45