Kërko

Papa Françesku në takimin me personelin e Telepace-s Papa Françesku në takimin me personelin e Telepace-s 

Papa Françesku për Telepace-n: të jeni tregimtarë të paqes

40 vjet emisione: këtë feston sivjet televizioni katolik italian “Telepace”, që transmeton audiencat dhe kremtimet e Papës. Françesku përshëndeti me dashuri personelin, duke uruar të vazhdojë t’u japë zë atyre, që nuk e kanë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku u takua dje, në Sallën Klementine, në Vatikan, me drejtuesit, personelin, bashkëpunëtorët dhe miqtë e “Telepace”-s, televizionit katolik italian, që feston 40 vjet veprimtari, gjithnjë në lidhje të ngushtë me Selinë e Shën Pjetrit. 140 të pranishmit shoqëroheshin nga drejtori, don Guido Todeschini.

Mjetet e komunikimit janë dhuratë e Zotit

         Takimi me ta ishte për Papën rasti të nënvizojë vlerën e mjeteve të komunikimit, duke kujtuar mesazhin e tij për Ditën e 50-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, kremtuar më 24 janar 2016:

         “Në fakt, edhe mjetet e komunikimit janë dhuratë e Zotit: ato ‘kanë sjellë hapjen e horizontit’ për shumë njerëz. Kjo është dhuratë e Zotit dhe, njëkohësisht, edhe përgjegjësi e madhe. Më pëlqen ta quaj këtë pushtet të komunikimit si ‘afërsi’… Afërsi, që kujdeset, ngushëllon, shëron, shoqëron e feston”. (Mesazhi për Ditën e 50-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, 24 janar 2016).

Shërbim për Zotin e për njeriun

         Papa Françesku vuri në dukje përkushtimin e “Telepace”-së në shërbimin “ndaj Zotit dhe ndaj njeriut në Kishë”, siç thuhet në moton e këtij televizioni, që ka zgjedhur t’ia besojë punën e vet Provanisë Hyjnore, pa pranuar asnjë lloj reklame. E pastaj, objektivi që vlen edhe për të ardhmen: të jetë zëri i atyre, që nuk kanë zë. Ati i Shenjtë i beson Telepace-s tre impenjime. Së pari, të jetë “antenë përshpirtërie”, duke njohur në gjithçka ndodh në botë, shenjat shpirtërore të dashurisë së mëshirshme të Atit Qiellor:

         “Në profesionin tuaj – u tha gazetarëve – qofshi ‘kanale të gjalla’ përshpirtërie drejt Zotit e drejt gjithë dëgjuesve të radios e shikuesve të televizionit. Sidomos drejt të varfërve, të fundmëve, të përjashtuarve. Mos i harroni kurrë të varfërit, që i keni pranë! Vazhdoni t’u qëndroni afër të burgosurve, të dënuarve me vdekje – gjë e shëmtuar kjo, por akoma ekziston dënimi me vdekje – si atëherë kur shkuat në Krahun e vdekjes, në Teksas, ku shoqëruat dhe asistuat dy të rinj, pasi i ngushëlluat me Sakramente”.

Të rinjtë meritojnë vëmendje të posaçme

         Detyra e dytë e Papës Françesku për kanalin televiziv kishtar është: të edukohen të rinjtë në shkollën e Ungjillit. Është impenjimi, që Kisha e mori përsipër edhe në Sinodin e fundit, kushtuar brezit të ri:

         “Sa do të më pëlqente që edhe mediat t’i kushtojnë më tepër vëmendje të rinjve, jo vetëm duke treguar për dështimet, por edhe për ëndrrat e shpresat e tyre! Ungjilli i gëzimit na bën thirrje për një impenjim edukativ, që nuk mund të shtyhet më. T’i edukosh të rinjtë në shkollën e Ungjillit, do të thotë, së pari, të jesh dëshmitar i së vetmes Fjalë, që shpëton. Komunikimi juaj të jetë në dalje, për të dialoguar e, më parë, për t’i dëgjuar të rinjtë. Të kujtohemi: Ungjilli na kërkon guxim!”

Jo, komunikimit që krijon ndarje

         “Të jeni tregimtarë, që nuk bien në thashetheme”, është impenjimi i tretë, që kërkon Papa për “Telepace”-n. Ati i Shenjtë vë në dukje përhapjen e gjërë të “një forme komunikimi, që nuk ka të bëjë me vëmendjen ndaj tjetrit dhe me mirëkuptimin reciprok”. Një zakon i keq, që çdo ditë, sjell në shoqëri “zili, xhelozi dhe etje për pushtet”. Është e nevojshme të komunikohet me përgjegjësi, nënvizon Papa:

         “Atëherë, përsëris ftesën për ‘të promovuar një gazetari të paqes… një gazetari bërë nga njerëz për njerëzit, që kuptohet si shërbim për të tjerët, sidomos për ata – në botë janë shumica – që nuk kanë zë… gazetari e impenjuar për të treguar zgjidhje të ndryshme nga stili ‘kush bërtet më shumë’ e nga dhuna verbale”. (Mesazh për Ditën e 52-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, 24 janar 2018).

Logo e Telepace-s: një pëllumb dhe një degë ulliri

         Së fundi, Papa uroi që Telepace, ashtu siç thotë emri, të mbetet “televizion i paqes”, e cila është dhuratë e Zotit dhe fitore e njerëzimit, ndërsa gazetarëve u tha të jenë “pëllumba të paqes e të fluturojnë në eter me dy krahët e lutjes e të bamirësisë”.

13 dhjetor 2018, 18:20