Kërko

Logot e udhëtimeve të Papës në Maqedoni e Bullgari Logot e udhëtimeve të Papës në Maqedoni e Bullgari 

Papa Françesku në Bullgari e në Maqedoni, majin e ardhshëm

Zyra e shtypit e Vatikanit njoftoi se ndërmjet 5 dhe 7 majit të ardhshëm Papa do të bëjë një udhëtim apostolik në Bullgari dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

R.SH. - Vatikan

“Papa Françesku do të bëjë një udhëtim apostolik në Bullgari nga 5 deri më 7 maj 2019. Ai do të udhëtojë në qytetet e Sofjes dhe Rakovskit. Gjithashtu do të shkojë edhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë më 7 maj 2019 e do të vizitojë qytetin e Shkupit”. Njoftimin e dha sot drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, duke deklaruar se Papa pranon “ftesën e autoriteteve më të larta të Republikave përkatëse dhe të Kishës Katolike”. Hollësitë e programit nuk njihen ende, ndërsa logot dhe motot janë bërë publike.

Logo dhe motoja e Bullgarisë

Për udhëtimin apostolik në Bullgari, logo paraqet dy duar që mbajnë një glob. I pranishëm, edhe flamuri bullgar dhe rajoni i Ballkanit, ku ndodhet Bullgaria. Ftesa për të qenë ndërtues të paqes, simbolizuar nga duart, përmendet shprehimisht në frazën me shkronja të verdha, në latinisht dhe bullgarisht: “Pacem in Terris” (Paqe në Tokë). Motoja kujton enciklikën e Shën Gjonit XXIII, vizitori dhe delegati i parë apostolik në Bullgari.

Logo dhe motoja e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë

Logo për pjesën e dytë të takimit të majit përdor ngjyrat e Maqedonisë dhe flamurin e saj, duke paraqitur ardhjen e Papës Françesku, që bekon vendin. Në sfond, sari i Nënë Terezës dhe ngjyra blu që e karakterizon atë janë përdorur si simbol. Dime se Nënë Tereza lindi në Shkup, nga prindër shqiptarë. Motoja thotë: «Mos ki frikë, grigjë të vogël» (Lk 12,32).

13 dhjetor 2018, 13:49