Papa Françesku: meshtari, zemër që mallëngjehet

Dyzet e nëntë vjet më parë, Jorge Mario Bergoglio u shugurua prift, në moshën 33-vjeçare dhe me një diplomë si teknik kimik në xhep. Thirrje e Zotit, 17 vjet pas një rrëfimi me At Duarten në kishën San José de Flores. Për Papën Françesku, meshtari duhet të jetë i afërt me njerëzit “me afërsinë dhe butësinë e Bariut të Mirë”.

R.SH. - Vatikan

Duart e kryeipeshkvit të Kordovës, imzot Ramon José Castellano, mbi kryet e Jorge Mario Bergoglios shënojnë fillimin e një historie të gjatë përkushtimi, shërbimi dhe dashurie për Kishën. Është 13 dhjetori i vitit 1969, 4 ditë para ditëlindjes së 33-të. Në atë datë, përfundon një rrugë, që filloi në moshën 17-vjeçare, kur ndizet brenda tij shkëndija e thirrjes së Zotit. Në rrëfimin me At Duarte, që nuk e kishte parë kurrë më parë në kishën e San José de Flores, Papa Françesku i ardhshëm gjen një udhërrëfyes, në gjendje t’i zbulojë thirrjen e tij. “U kthye në shtëpi – lexohet në librin-intervistë të Papës me Sergio Rubin-in dhe Francesca Ambrogetti-n - me një bindje të vendosur: donte, duhej të bëhej meshtar”. Kështu, në moshën 21-vjeçare, hyn në Shoqërinë e Jezusit.

Prifti shëron plagët e njerëzve

Kush është meshtari për Papën Françesku? Përgjigjia gjendet në shumë fjalime dhe në homelitë e këtyre pesë viteve të magjisterit. Për shembull, në takimin me famullitarët dhe meshtarët e dioqezës së Romës, më 6 mars 2014, Papa kujton një fjalë kyçe të papnisë së tij: “mëshirë”. “Në shembëllim me Bariun e Mirë, meshtari - thotë ai - është njeri i mëshirës dhe i dhembshurisë, pranë popullit të tij dhe shërbëtor i të gjithëve. Prifti është i thirrur ta mësojë këtë, të ketë zemër që mallëngjehet”. Meshtar është ai, që shëron plagët.

Jo me zemër, që lëkundet

Pikërisht mëshirës, Papa Françesku i kushton Vitin e Shenjtë të jashtëzakonshëm, shpallur më 8 dhjetor 2015. Në meshën për Jubileun e priftërinjve, më 3 qershor 2016, Papa thekson se zemra e meshtarit është “një zemër e patundur në Jezusin”, “një zemër e shporuar nga dashuria e Zotit”. “Për këtë arsye, ai nuk shikon veten - ai nuk duhet të shikojë veten – por Zotin dhe vëllezërit. Nuk është më 'një zemër, që lëkundet', që i lejon vetes të joshet nga sugjestioni i çastit, ose që shkon andej e këndej në kërkim të konsensusit dhe të kënaqësive të vogla. Përkundrazi, është zemër e lidhur me Shpirtin Shenjt, e hapur dhe në dispozicion të vëllezërve “.

Afër dhe ndërmjet njerëzve

Afërsia është veçori tjetër e theksuar nga Papa Françesku. Në predikimin e Meshës së Bagmit, më 29 mars 2018, Papa kujton se “meshtari i afërt, që ecën mes njerëzve të tij me afërsinë dhe butësinë e bariut të mirë (dhe në shërbimin e tij baritor nganjëherë qëndron përpara, ndonjëherë në mes dhe nganjëherë mbrapa), jo vetëm çmohet shumë, por shkon më tej: ndien diçka të veçantë, diçka që ndihet vetëm në prani të Jezusit. Prandaj, nuk është diçka e tepërt, kjo afërsia jonë. Është në lojë prania e Jezusit në jetën e njerëzimit, përndryshe, Krishti do të mbetet në planin e ideve, i mbyllur në shkronja të mëdha, i mishëruar më së shumti në ndonjë zakon të mirë, që gradualisht bëhet rutinë”.

13 dhjetor 2018, 14:18