Kërko

Papa Françesku flet për vdekjen sonte, në Tv2000

“Mëkat do të thotë të gënjesh veten se nuk do të vdesësh kurrë” - E pohon Françesku në episodin VIII të Ave Maria, program i don Marco Pozza-s, që do të transmetohet sonte në Tv2000, në orën 21.50.

R. SH. - Vatikan

“Mëkat do të thotë të gënjesh veten se nuk do të vdesësh kurrë” - E pohon Françesku në episodin VIII të "Ave Maria", program i don Marco Pozza-s, që do të transmetohet sonte në Tv2000, në orën 21.50. Në qendër të komentit, lutja më e njohur në botë, duke nisur nga shprehja “Tash e në fill të mortes sonë”. Të ftuar, Letizia Morati, Sofia Cantisanti e Talita  Paula Leite.

Papa Françesku kujton djallin, Evën dhe fton për të reflektuar mbi vdekjen. “Nuk është çast i kollajshëm - pohon - por të mendosh për vdekjen në fund të udhës sonë, është realitet! “Gjatë një jete të ngarkuar me mëkat - saktëson - njeriu e di mirëfilli se do të vdesë,  por e largon këtë mendim. Kësaj i thonë të gënjesh veten! Na e kujton ‘FalemiMaria’, që  nis me të vërtetën e madhe të shëlbimit e përfundon me të vërtetën e madhe të vdekjes, fryt i mëkatit”.

Paqja

Në çastin e vdekjes - shton Françesku - do t’i kërkoj Marisë ta kem pranë  e të më japë paqe. E, në dialog me dom Marco Pozza-n, rrëfen se ka bërë ushtrimin e “vdekjes së mirë”, që një herë e një kohë praktikohej në seminare pikërisht për t’u mësuar me mendimin e vdekjes. “Lutja niste duke i kërkuar mëshirë Zotit - kujton Papa - duke përshkruar, më pas, pikërisht çastin tragjik të vdekjes. Kur mbi ballin, që nis të akullohet,  duken bulat e djersës së ftohtë të vdekjes, thuhet: “O Jezus i mëshirshëm, ki dhimbë për ne”. Ishte zakon i asaj kohe, realist…

Të rinjtë dhe kultura gazoze

Papa Françesku kujton edhe të rinjtë, sidomos, ndjesinë e vetmisë e të braktisjes, që i mundon gjithnjë më shpesh. “Me kulturën tonë e propozimet tona - shpjegon - i kemi lënë këta të rinj pa rrënjë. U kemi dhënë një kulturë pa konkretësi, kulturë likuide, për të përdorur formulën e një filozofi, madje unë do ta quaja “gazoze”, pa rrënjë. Mendoj se fajtor është qytetërimi ynë. Të rinjtë sot kanë nevojë të lëshojnë rrënjë. Maria nuk i humbi kurrë rrënjët e saj!

Drejtësia

Françesku ndalohet edhe tek vetëvrasja: “Vetëvrasje - kujton - do të thotë t’ia mbyllësh derën shëlbimit. Por unë besoj se kush vetëvritet, nuk është plotësisht i vetëdijshëm për këtë fund jete. Nuk e bën me liri të plotë. Së fundi, dy fjalë për shprehjen “motra vdekje”, përdorur nga Shën Françesku i Asizit. “Më pëlqen të mendoj për vdekjen si akt drejtësie përfundimtare. Mëkati e paguan këtë  haraç, por, nga ana tjetër, hap portën për ringjalljen. Bashkëjetesa me vdekjen nuk i përket kulturës sime, po secili ka kulturën e vet e mund ta bëjë”.

04 dhjetor 2018, 15:16