Kërko

Papa në katekizmin kushtuar Atynës: të mësojmë nga Jezusi si duhet të lutemi

Papa Françesku filloi sot, në Sallën Pali VI, një cikël të ri katekizmi për audiencën e përgjithshme. I kushtohet lutjes së Jezusit. E, në këtë Kohë të Ardhjes, i fton besimtarët t’i kërkojnë, si dishepujt: “Zot, më mëso të lutem!”.

R. SH. - Vatikan

“Edhe pse ndoshta lutemi prej shumë vitesh, na mbetet gjithnjë diçka e re për t’u mësuar, mbasi nuk e dimë nëse lutjet, që i drejtojmë Zotit, janë pikërisht ato, që i pëlqejnë. Posaçërisht nëse nuk lutemi përvujtërisht”. Papa Françesku, pasi kreu ciklin e katekizmit kushtuar Dhjetë Urdhërimeve, e nisi ciklin e ri  për audiencat e përgjithshme, të cilat do t’ia kushtojë “Atynës”, me ftesën “Zot, më mëso të lutem!”  

Jezusi, njeri i lutjes

Ishte takimi i parë me besimtarët për muajin dhjetor. E ndoqën më se 8 mijë vetë, nga mbarë bota, të pranishëm në Sallën Pali VI. Mes tyre, Papa nënvizoi sidomos se Jezusi është njeri i lutjes, “që ndjen nevojën të tërhiqet në skuta të vetmuara, për t’u lutur, pavarësisht nga urgjenca e misionit të tij e këkesat e panumërta të njerëzve. Jezusi, që predikon e shëron - kujtoi Françesku - “është Zoti, që e kemi gjithnjë pranë”, “Zoti, që çliron”, Mesia “në qendër të gjithësisë”. “I shumëprituri nga njerëzit e shpresa e Izraelit”.

Krishti, Mesi origjinal

Po Ai nuk bëhet kurrë peng i atyre, që e zgjodhën si lider. Është i aftë të distancohet, nuk lidhet kurrë aq ngusht me njerëzit. Që nga nata e parë, në Kafarnao - sqaroi Papa - “tregon se është Mesi origjinal”. Kur shkrep agimi, dishepuj e kërkojnë e nuk e gjejnë dot. Eshtë zhdukur! Derisa Pjetri e pikas në një skutë të vetmuar, krejtësisht të përhumbur në lutje. “Po të kërkojnë të gjithë, prej kohe” - i thotë:

“Po Jezusi u gjegjet të vetëve se duhet të shkojë gjithnjë më tutje;  se nuk janë njerëzit, që e kërkojnë, por është Ai, që i kërkon. Prandaj nuk duhet të lëshojë rrënjë, por të mbetet gjithnjë shtegtar udhëve të Galiesë. E edhe shtegtar drejt Atit, domethënë, në lutje. Në udhën e lutjes. Sepse Jezusi lutet”.

Lutja drejton gjithçka

E Papa Françesku komentoi, më pas se në disa faqe të Shkrimit Shenjt  duket se është “pikërisht lutja e Jezusit, lidhja e Tij e ngushtë me Atin, ajo që drejton gjithçka”. E kjo ndodh shpesh! Sidomos në natën tragjike të Gjetsemanit, më të vështirën. Krishti lutet, e lutja e asaj nate nuk është  aspak e lehtë. Shndërrohet në agoni. Megjithatë, është lutje e aftë ta ndihmojë në Udhën e Kryqit.

Ja pika themelore: Jezusi lutet, Jezusi lutet me gjithë shpirt në çaste publike, në mes të popullit e me të, por kërkon edhe vende të veçuara, larg poteres së botës, vende që i krijonin mundësinë të zbriste në fund të vetvetes, në skutat më të fshehta të shpirtit: “Ai është profeti, që i njeh gurët e shkretëtirës e që ngjitet edhe në majë të maleve”.

Mënyra si lutet Jezusi është përplot me mister

Edhe fjalët e fundit të Jezusit, pak para se t’i dalë shpirti mbi Kryq - nënvizoi Papa - janë fjalë psalmesh, domethënë lutjesh, lutjesh të judenjve: “Lutej me fjalët që ia kishte mësuar e ëma në prehër”. Jezusi lutej, ashtu si lutet çdo njeri. E megjithatë, në mënyrën si lutet - shtoi Françesku - ndjehet fort prania e misterit, diçka që nuk u shpëton syve të dishepujve. Prandaj ngulin këmbë në kërkesën “Zot, na mëso të lutemi”, që e gjejmë në ungjijtë.

Të themi edhe ne: “Zot, mësona të lutemi!”

E Jezusi nuk kundërshton, “nuk e ruan vetëm për vete lidhjen me Atin” sepse erdhi mbi dhe pikërisht për të na e krijuar edhe ne këtë lidhje të ngushtë. U bë mësues i lutjes për dishepujt e vet, e edhe për ne të gjithë. Prandaj - ftoi Papa - edhe secili nesh duhet të thotë: “Zot, më mëso të lutem!”. Në të vërtetë, edhe pse ndoshta lutemi prej shumë vitesh, na mbetet ende shumë për të mësuar. Sepse urata e njeriut, që lind në mënyrë kaq të natyrshme nga thellësitë e shpirtit, është, ndoshta, një nga misteret më të pashqyrtueshme të universit.

E nuk e dimë aspak nëse lutjet tona drejtuar Zotit, janë pikërisht ato, që i pëlqejnë. Bibla na jep edhe dëshmi lutjesh fare të papërshtatshme, që në fund, Zoti nuk i pranon; mjafton të kujtojmë shëmbëlltyrën e farizeut e të publikanit. Vetëm ky i fundit, publikani, kthehet në shtëpi i shfajësuar.

Zoti dëgjon lutjen e përvuajtur

Kjo - sqaroi Françesku - ndodh sepse farizeu ishte fodull, i pëlqente ta shikonin njerëzit duke u lutur, prandaj shtirej gjithnjë se lutej: po zemrën e kishte akull. Zemra e tij nuk dinte ç’është lutja e përgjëruar, që e shkrin shpirtin njerëzor, duke e lartuar deri tek froni i Zotit.  Prej këndej, Jezusi na kujton se ai nuk u shfajësua. Sepse kushdo e larton veten, do të përvuhet,  e kushdo përvuhet, do  të lartohet:

“Prandaj hapi i parë i lutjes është të jesh i përvuajtur, të shkosh tek Ati e t’i thuash: ‘Po, o Atë…Të shkosh tek Zoja e: ‘Jam mëkatar i madh, i ligshtë, faqezi’ - t’i thuash. Secili e di vetë çka duhet thënë. Po gjithnjë hapi i parë është përvujtëria… e Zoti rri e të dëgjon. Sepse Zoti i pranon gjithnjë lutjet e përvujta!”.

Do të jetë gjë e bukur - përfundoi Papa - që në këtë Kohë të Pritjes, të përsërisim: “Më mëso të lutem, o Zot!”. Sepse të gjithë mund të veçohemi në ndonjë skutë të heshtur e të lutemi më mirë. E Zoti nuk do ta lërë të shkojë kot përgjërimin e zemrave tona”.

Të shtunën, Solemniteti i Zojës së Papërlyer: ta lëshojmë vetveten në dorë të Zojës!

Duke përshëndetur shtegtarët, Françesku kujtoi se të shtunën do të kremtohet solemniteti i Të Zënit pa faj të Virgjërës Mari: prandaj I ftoi besimtarët:

“T’ia besojmë Zojës gjithë vetveten! Ajo, model feje e bindjeje ndaj Zotit, na ndihmoftë t’i përgatisim zemrat për ta pritur Jezusin në Ditëlindjen e Tij”.

05 dhjetor 2018, 14:45