Oratoret romake në Sheshin e Shën Pjetrit: “Krishti zbret, për të na lartuar!”

Sot, me Qendrën e Oratoreve Romake u rikthyen në Sheshin e Shën Pjetrit fëmijët dhe të rinjtë e dioqezës së Romës, për bekimin tradicional të Shtatoreve të Krishtit Fëmijë nga Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

“Gjithë gëzimi, në një djep” - kjo, tema e zgjedhur nga Oratoret Romake (Cor), që u rikthyen këtë të diel në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, për takimin tradicional të bekimit të Shtatoreve të Krishtit Fëmijë.

Takim, në prag të Krishtlindjes

Në ngjarjen, lindur me dëshirën e Shën Palit VI, morën pjesë fëmijë, adoleshentë, familje e animatorë të famullive romake, për një çast të çmuar, në përgatitje të Krishtlindjes. “Çast i fortë, në të cilin marrin pjesë prej vitesh Oratoret. E edhe një mënyrë, për të shprehur dëshirën që Jezusi të bëhet qendër e jetës së çdo fëmije, në çdo orator, në çdo shtëpi, në çdo shkollë, në çdo veprimtari, në çdo vend".

Gëzohuni e galdoni!

Papa, me fjalët e profetit Sofonia, kujtoi se banorët e Jeruzalemit “janë të thirrur të gëzohen e të galdojnë,  sepse Zoti e tërhoqi dënimin”.  E, duke iu drejtuar fëmijëve të Romës, i ftoi ta kuptojnë thelbin e Krishtlindjes, mahnitjen përballë misterit të madh të Zotit bërë njeri, që e përfaqëson Krishti Fëmijë, në grazhdin e  Shpellës së Betlehemit.

Krishti zbret në shtëpitë tona, për të na lartuar në shtëpinë e Tij

Ishte Ferishte allçie, foshnja në duart e qindra fëmijëve romakë, që sot e mbushën përplot Sheshin e Shën Pjetrit e prisnin Papën për t’ua bekuar? Ishte, por shumë më tepër se një cope allçie e skalitur… Vetë Zoti zbriste sot në duart e njoma të fëmijëve, që prisnin bekimin e Papës. Për t’u rikthyer në shtëpitë, ku banojnë e në shkollat ku mësojnë, së bashku me Foshnjen hyjnore, në duart e në zemrat e tyre të pafaje.

Kështu mjediset familjare e klasat, shpesh të ftohta, të shkollave, ngrohen këto ditë fillimdimri nga prania e re, e mrekullueshme, që i ngjyros ditët e fundvitit me të gjitha ngjyrat e ylberit.

Kështu hyn Krishti në shtëpitë tona

E kështu hyn Krishti Fëmijë në të gjitha skajet e skutat, ku jetohet jeta e ngarkuar me gaz e vaj, me të mira e të vështira… Të  gjitha, lëshuar nga Ati Qiellor, në dorën njomzake të një Foshnjeje, që zbret nga qielli, për të na lartuar në shtëpinë e vet. Ai, që Natën e Këndellës - natë që përtërin natyrën e jetën njerëzore - do të lindë në të njëjtën kohë ndër mijëra shtëpi,  ndër mijëra Shpella Betlehemi, nga polet, në ekuador, nën flokë dëbore e diell përvëlues, rrethuar me kore engjëllore, që e zbresin qiellin mbi tokë e i sjellin paqen njerëzve vullnetmirë!

Mister i mrekullueshëm

Mister mahnitës. Që mund ta kuptojë vetëm zemra njerëzore e cila, këtë natë të ndriçuar nga Kometa, ndjen thellësisht mallin për t’u kthyer tek zanafilla, tek Zoti… Tek Ai, që Natën e ndritshme të Këshndellave do të lindë përsëri nën miliona strehë të krishtera, për t’i siguruar banorët e tyre, të gjunjëzuar para Shpellave të Betlehemit, se do të zbresë përsëri e përsëri, për t’i  lartuar në qiellin e Tij të gjithë ata, që e duan deri tek kryqi, ashtu si desh Ai. Nga morti i kryqit - në viset e jetës pa mort!

Foshnja Hyjnore na prin e na pret

Foshnja Hyjnore, lartuar nga duart e njoma të fëmijëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, na shikon, e drita e syrit të Tij është e kaltërt, jo e zezë! Ndaj i kaltron edhe sytë tanë, që ngjyrosen me ngjyrën e qiellit të Tij, ku na prin e na pret.

Nën rrezen e shikimit hyjnor shuhen tingujt shurdhues të botës e dielli ndrin, pa djegë.

Toka, e varruar nga dora e njeriut, rinis të këndellet.

Dhembja shkrihet si dëbora nën dritën e syve të Zotit - Foshnje!

16 dhjetor 2018, 15:22