Funerali i George H.W. Bush në Washington Funerali i George H.W. Bush në Washington 

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e presidentit Bush

Telegram ngushëllimi i Papës Françesku, adresuar ipeshkvijve amerikanë, për vdekjen e George H.W. Bush, presidentit të 41-të të SHBA-ve, që u shua në moshën 94 vjeçare, më 30 nëntor. Prelatët amerikanë e kujtojnë për impenjimin e tij të vazhdueshëm në ndërtimin e urave të paqes e në sigurimin e lirive për kombin e SHBA-ve.

“I trishtuar nga lajmi për vdekjen e ish-presidentit George H.W. Bush”, Papa Françesku “shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe siguron lutjet e tij për krejt familjen Bush”. Kështu lexohet në telegramin e ngushëllimit, dërguar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kardinalit Daniel N. Di Nardo, kryeipeshkëv i Galveston-Houston. “Duke ia besuar shpirtin e presidentit Bush mëshirës hyjnore të të Gjithpushtetshmit”, lexohet akoma në telegramin, për të cilin njofton sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa i lutet Zotit që të dikojë “mbi gjithë ata, që vajtojnë për vdekjen e tij, bekime hyjnore, forcë e paqe”.

Kujtimi i ipeshkvijve amerikanë

         Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, kardinali Daniel Di Nardo, ditët e kaluara, pati shprehur, në emër të ipeshkvijve amerikanë, ngushëllimet për vdekjen e presidentit Bush. “Kujtojmë me mirënjohje – shkruan prelati – njeriun e madh, që ia kushtoi jetën shërbimit pa interes për atdheun e vet”. Kardinali Di Nardo vë në dukje impenjimin e tij të vazhdueshëm në ndërtimin e urave të paqes e në sigurimin e lirive për kombin amerikan. “Ai ka qenë bashkëshort, baba dhe patriark, që ka frymëzuar shumë vetë me përkushtimin e tij”, nënvizon kardinali, i cili siguron lutje për shpirtin e presidentit dhe për familjen.

Sot, në SHBA, zi kombëtare

         Të hënën e kaluar, trupi i George H.W. Bush mbërriti në Uashington me avionin presidencial, emërtuar me atë rast “Special Air Mission 41”. Sot, u kremtua funerali zyrtar e vendi është në zi kombëtare. Nesër, trupi i presidentit do të dërgohet me tren në College Station të Teksasit, ku ndodhet biblioteka dhe muzeu, kushtuar George Bushit. Aty do të varroset presidenti i 41-të i SHBA-ve, krah së shoqes, Barbara Bush dhe së bijës, Robin, e cila vdiq nga leuçemia në moshën 3-vjeçare.

05 dhjetor 2018, 19:14