Kërko

 Shpella e Betlhemit në Qurinale Shpella e Betlhemit në Qurinale 

Mësuesja e shlyen emrin Jezus nga kënga e Krishtlindjes

Don Luigi Fabbri, mëkëmbës i përgjithshëm i dioqezës italiane të Viterbos, pohon: “Integrimi është detyrë, por, siç kujtoi kohët e fundit Papa Françesku, në atë masë, që nuk shndërrohet në kërcënim për identitetin e secilit prej nesh”. A mund të ketë këngë Krishtlindjeje, pa Krishtin?

R. SH. - Vatikan

“Si bashkësi krishterë e jetojmë së bashku mahnitjen dhe mrekullimin e familjeve, institucioneve civile dhe të gjithë atyre, të cilët mundohen ta kuptojnë  logjikën e një vendimi didaktik, krejt të papërshtatshëm! Vendim, që i kundërvihet vetë shkollës, e cila duhet të ofrojë edukim të përgjithshëm e të gjithanshëm, pa përjashtuar kurrë identitetin dhe rrënjët më të thella të secilit nxënës”. Ky, pohimi i don Luigi Fabbri-t, mëkëmbës i përgjithshëm i dioqezës së Viterbos, nësa kujton atë, që ndodhi në një nga klasat e shkollës fillore të Institutit “Ildovaldo Rodolfi” të Tuscani-së, ku një mësuese e shleu nga kënga e Krishtlindjes, emrin “Krisht”, duke e zëvendësuar me fjalën “atje poshtë”. Fjalë krejtësisht e papërshtatshme për një tekst kënge, kushtuar Lindjes së Krishtit!

Identiteti duhet respektuar

Mëkëmbësi kujton se integrimi është detyrë, por, siç ka pohuar kohët e fundit edhe Papa Françesku, “në atë masë, që të mos shndërrohet në kërcënim kundër identitetit të secilit”. Sjellje të tilla i fyejnë pikërisht ata,  që besohet se po mbrohen! E akoma, mohohet  pasuria e historisë sonë, e kulturës sonë, e traditave tona!

Lind një pyetje

Lind, kështu, një pyetje - përfundon don Fabbri: “Duke u nisur nga kritere të tilla, thua do të na duhet ta shlyejmë nga programet mësimore edhe ‘Komedinë Hyjnore’, edhe ‘Të Fejuarit’ e sa e sa kryevepra të tjera, pa të cilat nuk mund të ketë mësim letërsie? E t’i censurojmë të gjitha tekstet  e historisë, të letërsisë, të arteve? U dashka rishkruar, atëhere, edhe historia? E edhe të ndalohen disa nga kryeveprat e muzikës botërore? E akoma, të  ndryshohet edhe kalendari, duke pasur parasysh se vitet i numërojmë duke nisur nga Ditëlindja e Krishtit? Para e pas mishërimit ndër ne të Atij, që sot ndokush dëshiron t’i harrohet deri emri?! Po kështu njerëzimi rrezikohet të rikthejë në prehistorinë e vet! Urojmë, prandaj - nënvizon don Luigi Fabbri - që kënga të këndohet përsëri me tekstin origjinal, pa censurë e, sidomos, pa frikë se na qorton zonjusha. Është çështje respekti ndaj identitetit tonë e para, së gjithash, çështje  ‘gjykimi të shëndoshë’”!

16 dhjetor 2018, 16:23