Kërko

Mesha e Papës Françesku për Zojën e Guadalupes, 2016 Mesha e Papës Françesku për Zojën e Guadalupes, 2016 

Meshë e Papës Françesku për Zojën e Guadalupes

Nesër mbrëma, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimi eukaristik me dhjetra meshtarë nga e gjithë bota, në festën e “Morenitës”. Guzmàn Carriquiry, zv.kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine: devocion, që përflaku botën.

R.SH. - Vatikan

Akti më sublim i dashurisë dhe i nderimit për Virgjërën e Guadalupes, pajtore e gjithë popujve të gjuhës spanjolle e sidomos, e kontinentit latinoamerikan, do të kremtohet nesër në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Është mesha e Papës Françesku, shoqëruar nga kori i Kapelës Sikstine dhe nga ai i Kolegjit Pio Latinoamerikan. Gjysëm ore më parë, kremtimi eukaristik do të paraprihet nga Rruzarja, e cila do të përfundojë me himnin e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të mbahet në janar 2019, në Panama.

Papa Françesku: Morenita na bën të zbulojmë ëmbëlsinë e Zotit

         Sy më sy me fuguren e Morenitës – kështu quhet me dashuri Zoja e Guadalupes – gjatë udhëtimit të tij apostolik në Meksikë, në vitin 2016, Papa Françesku nuk e fshehu devocionin e tij të madh, duke shqiptuar fjalë, që mbeten: “Ajo, para së gjithash, na mëson se e vetmja forcë, e aftë t’i fitojë zemrat e njerëzve, është dhembshuria e Zotit”.

Dukjet: ungjillëzimi i parë i popujve latinoamerikanë

         Qe periudha ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, kur Zoja e Guadalupes iu duk në kodrinën e Tepejakut, në veri të Qytetit të Meksikos, Huan Diegos, njërit nga aztekët e parë, që u kthyen në krishterim. Në mantelin, që indigjeni përdori për të mbledhur lulet, të cilat Virgjëra i bëri të lulëzonin jashtë sezonit në një vend të shkretë, u duk mrekullisht figura e Marisë. Nuk gabojmë kur themi se dukjet luajtën një rol “pedagogjik”. “Pa dyshim – pohon Guzmàn Carriquiry Lecour, zv.kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine – ishin ungjillëzimi i parë i popujve latinoamerikanë. Por mund të themi edhe më shumë: Virgjëra e Guadalupes është pedagoge e një ungjillëzimi, që ndërthuret përsosurisht me kulturën lokale”. Në dhjetëvjeçarin e mëpasëm, më se 8 milion indigjenë kërkuan të pagëzoheshin. Mrekulli brenda mrekullisë.

Virgjër e popujve indigjenë, jo e conquistadores

         Ngjarja qe e jashtëzakonshme edhe për faktin se Morenita (Zoja e Zeshkët) deshi të ishte virgjër e “popullit indigjen” autokton. “Nuk është Virgjëra e Conquistadores (pushtuesve spanjollë) – vijon Guzmàn Carriquiry – e as ndonjë hyjni indigjene. Kjo zonjë e bukur metise u duk e veshur me të gjitha simbolet e kozmogonisë indigjene, grua shtatzanë, që u dhuronte popujve birin e saj, shëlbuesin. I përqafoi popujt tanë, duke zgjedhur si lajmëtar një autokton të varfër”.

Përhapja botërore e devocionit

         Filluar në Qytetin e Meksikos dhe përhapur me shpejtësi në gjithë Amerikën Latine, pas gati 500 vjetësh, përshpirtëria e Virgjërës së Guadalupes ka përflakur botën. Pavarësisht se dukjet nuk janë njohur zyrtarisht nga Kisha Katolike, por konsiderohen zbulesë private, në çdo anë të planetit ka nga ata, që i drejtohen me besim Zojës së Zeshkët. Vegjenti Huan Diego u shpall shenjt nga Papa Gjon Pali II në vitin 2002. “Në botë – sqaron Guzmàn Carriquiry – dioqezat, famullitë, kishat, kapelat, që i kushtohen Zojës së Guadalupes, nuk mund të numërohen, aq shumë janë. Ajo është, pa dyshim, pajtore e Amerikës Latine dhe perëndeshë e krejt kontinentit amerikan, por manteli i saj mbulon botën mbarë”.

11 dhjetor 2018, 13:54