Kërko

Papa Francesku e pëllumbi Papa Francesku e pëllumbi 

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e Paqes,: “korrupsioni, ksenofobia, racizmi”, turpi i politikës

U kushtohet virtyteve dhe veseve të politikës, mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes. Korrupsioni, racizmi dhe ksenofobia janë “turpi i jetës publike dhe vënë në rrezik paqen shoqërore”. “Nuk mund të dëgjohen fjalimet politike, që priren t’i akuzojnë emigrantët për të gjitha të këqiat dhe t’i privojnë të varfërit nga shpresa”, pohon Françesku.

R.SH. - Vatikan

“Politika e mirë është në shërbim të paqes”: kjo tema e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes, që kremtohet më 1 janar 2019. Mesazhi u paraqit sot në Vatikan, nga prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, kard. Peter Kodëo Appiah Turkson e, nga sekretari i Dikasterit, imzot Bruno Marie Duffé.

         Në këto pesë vite papnie, Papa ka folur pak për politikën, duke preferuar, si gjithnjë, të ngulë këmbë mbi ekonominë e financën, të cilat, sipas tij, përmes korrupsionit, e mbajnë peng politikën në përgjithësi e shumë politikanë, në veçanti. Ndërsa sot, përmes këtij mesazhi, Ati i Shenjtë propozon një mini-enciklikë, në të cilën shpjegon thelbin e magjisterit të tij mbi politikën e mirë e të vërtetë, që aq shumë i mungon botës.

“Paqe kësaj shtëpie”

         Papa e di mirë se të ofrosh paqen është zemra e misionit të dishepujve të Krishtit. E kjo ofertë u drejtohet të gjithë atyre – burra e gra – që shpresojnë në paqen, pavarësisht nga tragjeditë e dhuna e historisë njerëzore. “Shtëpia”, për të cilën flet Jezu Krishti, është çdo familje, çdo bashkësi, çdo vend, çdo kontinent, me veçoritë dhe me historinë e vet. Është, para së gjithash, çdo njeri, pa dallime e diskriminime. Është edhe “shtëpia jonë e përbashkët”, planeti në të cilin Zoti na ka vendosur për të banuar e për të cilin duhet të kujdesemi. Për këtë shtëpi e për këta njerëz, që duan të jetojnë në paqe, duhet të punojë politika.

Roli i politikës

         “Çdo risim i funksioneve zgjedhore, çdo afat zgjedhor, çdo etapë e jetës publike – shkruan Papa në mesazh – përbën rast për t’iu kthyer burimeve dhe referimeve, që frymëzojnë drejtësinë e ligjin. Jemi të sigurtë për këtë: politika e mirë është në shërbim të paqes; ajo respekton e promovon të drejtat themelore të njeriut, të cilat, njëkohësisht, janë edhe detyra reciproke, që brezat e tashëm e ata të ardhshëm të lidhen përmes besimit e mirënjohjes”.

Çështja e emigrantëve

         Sot, në Ditën Botërore të Emigrantëve, kardinali Turkson dhe imzot Duffé u përqendruan në mikrpitjen e njerëzve, që largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë. “Mikpritja e emigrantëve është detyrë dhe mundësi”, pohoi kardinali Turkson, duke komentuar Mesazhin e Papës. Mikpritja është detyrë bamirëse, shtoi ai, e njëkohësisht, është edhe mundësi për t’i shoshitur punët e çështjet, që çojnë vërtet drejt “shoqërimit, promovimit dhe integrimit” të emigrantëve, siç kërkon Ati i Shenjtë. Siç shpjegoi imzot Duffé, Papa flet gjithnjë për dy lloj të drejtash: të drejtën për të emigruar, por edhe atë për të qëndruar në vendlindje. Prandaj, vendet e botës duhet të bashkëpunojnë për t’i mbrojtur njerëzit, që detyrohen të emigrojnë, por duhet edhe ta konceptojnë në mënyrë të re bashkëpunimin për zhvillim, në perspektivën e paqes. Korrupsioni, racizmi dhe ksenofobia janë “turpi i jetës publike dhe vënë në rrezik paqen shoqërore”. “Nuk mund të dëgjohen fjalimet politike, që priren të akuzojnë emigrantët për të gjitha të këqiat dhe t’i privojnë të varfërit nga shpresa”, pohon Françesku.

18 dhjetor 2018, 16:16