Cerca

Vatican News
 Bashkësia Kolegji ndërkombëtar i Jezusit Bashkësia Kolegji ndërkombëtar i Jezusit  (Vatican Media)

Françesku: Kolegji i jezuitëve, palestër në artin e të jetuarit

Papa bashkësisë së Kolegjit Ndërkombëtar të Jezusit, në 50-vjetorin e themelimit, me nismë të atë Arrupes: “Ky jubile është çast hiri, për të kujtuar”

R. SH. - Vatikan

Të themelosh, të rritesh e të piqesh: tri folje, që Papa Françesku “ia dorëzoi” përmes fjalimit, Bashkësisë së Kolegjit Ndërkombëtar të Jezuitëve në Romë, duke e pritur sot në Sallën e Koncistorit. Pasi kujtoi historinë e Kolegjit, themeluar më 1968 prej atë Arrupe-s, Epror i përgjithshëm i Jezuitëve nga 1965 deri më 1983 - dhe misionin e Shoqërisë, Papa e quajti Bashkësinë “fidanishtë, që sjell botën në Romë e Romën në botë, Shoqëri në zemër të Kishës e Kishë në zemër të Shoqërisë”.

Të formohesh e të themelohesh

Duhet kujtuar pikënisja - nënvizoi Papa - për të pasur rrënjë të forta e, si pasojë, edhe për t’u rritur. E shtoi: “Nuk ka rritje, pa krizë”. E menjëherë kujtoi edhe të keqen më të madhe:

“Të rritesh, të lëshosh rrënjë, do të thotë të luftosh pa pushim kundër çdo mondaniteti shpirtëror, e keqja më e madhe, që mund të na ndodhë, siç thoshte atë de Lubac. Në se mondaniteti i prek rrënjët, lamtumirë fryte e lamutumirë pemë! Prandaj për mua, ky është rreziku më i fortë i kësaj kohe: mondaniteti shpirtëror, që çon në klerikalizëm. Ndërsa po të luftosh vazhdimisht kundër vetvetes, atëhere po, do të ketë pemë e fryte. Shumë fryte!”.

Në situatat më të vështira, në tokat e kufirit, në shkretëtirat e njeriut: këtu është i thirrur të jetë jezuiti - shpjegoi Papa. “Mund të gjendet si qengj në mes të ujqërve, por nuk duhet të luftojë me ujqërit. Duhet të mbetet qengj!”.

Vetëm kështu bariu do të mund të arrijë atje, ku është qengji i tij.

“Mos kini frikë të qani përballë situatave të vështira; janë pika, që vadisin jetën, që e bëjnë pjellore” - nënvizoi Papa.

E në vijim, theksoi se Kolegji i Jezusit “Duhet të jetë palestër aktive në artin e të jetuarit, duke e përfshirë edhe tjetrin”. Nuk është fjala për t‘u kuptuar e për t’u dashur, por për ta mbartur barrën e njëri-tjetrit. E edhe barrën e historive, të kulturave, të kujtesës së popujve. E për të përqafuar, në vëllain,  ankthet e shpresat e një Kishe e të një populli: për t’i zgjeruar kufijtë, duke e shtyrë gjithnjë horizontin pak më tutje!”.

03 dhjetor 2018, 14:52