Kërko

Droga dhe vartësitë. Papa Françesku: jo, politikave të veçanta!

“Nuk duhen vënë në jetë politika të veçanta: droga është problem njerëzor, problem shoqëror: gjithçka duhet të jetë e ndërlidhur”. Këtë pohoi sot Papa, duke u takuar me pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare, mbajtur në Vatikan, titulluar “Drogat e vartësitë - pengesë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut”. Nisma, që përfundoi sot, organizohej nga Dikasteri për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor.

R. SH. - Vatikan

Kujtoi me forcë detyrën për të luftuar kundër trafikanëve të vdekjes,  Papa Françesku, në fjalimin drejtuar Konferencës Ndërkombëtare, titulluar “Drogat e vartësitë: pengesë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor”, që përfundoi sot, në Vatikan, pikërisht me audiencën në Sallën e Klementine:

“Mbarë bashkësia, në tërësinë e saj, është e thirrur t’i japë përgjigje zhvillimeve kulturore dhe formave patologjike, që rrjedhin nga klima kulturore e shekullarizuar, pasojë e kapitalizmit të konsumit, nga autosufiçenca, nga humbja e vlerave, nga boshllëku ekzistencial, nga mungesa e lidhjeve dhe e marrëdhënieve. Droga, siç e kam nënvizuar shumë herë, është plagë e hapur në gjirin e shoqërisë sonë, që zë shumëkënd në rrjetat e saj. Janë viktima, të cilat e shkëmbejnë me këtë skllavëri, vetë lirinë. Duke e humbur! Të gjithë jemi të thirrur t’i kundërvihemi me forcë prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së drogës në botë. Është detyrë dhe mision i qeverive, ta përballojnë me guxim këtë luftë kundër tregtarëve të vdekjes. 'Trafikantë të vdekjes: mos kini frikë t’i quani pikërisht kështu!'”.

Duke lexuar shenjat e kohëve, Françesku, me vetëdije të plotë, foli për rreziqet e tmerrshme, që lindin nga rrjeti:

“Një mjedis përherë e më i rrezikshëm po duket gjithnjë e më shumë në hapësirën virtuale; në disa faqe të internetit, të rinjtë, e jo vetëm,  joshen e zvarrisen në një skllavëri, nga e cila është tepër e vështirë të çlirohesh, që përfundon me humbjen e plotë të kuptimit të jetës e nganjëherë edhe të vetë jetës”.

“Nëse është detyrë e qeverive t’i bëjnë ballë me guxim kësaj lufte kundër trafikantëve të vdekjes, Kisha, nga ana e saj, e shikon si detyrë të ngutshme të  krijojë në botën bashkëkohore një formë humanizmi, që të sjellë në qendër të diskutimit shoqëroro-ekonomiko-kulturor njeriun!”:

“Një humanizëm që ka në bazë 'Ungjillin e Mëshirës'. Duke u nisur prej tij, dishepujt e Krishtit frymëzohen për të vënë në jetë veprimtari baritore vërtet të frytshme, me qëllim që t’i lehtësojnë, t’i mjekojnë e t’i shërojnë vuajtjet e lidhura me vartësitë shumëformëshe, të pranishme në skenën njerëzore”.

Ndonëse kjo mund të jetë e mundur vetëm përmes mobilizimit koral. Mbi vartësitë mund të fitohet, vetëm duke krijuar rrjetet e solidaritetit:

“Kisha, së bashku me institucionet civile, kombëtare e ndërkombëtare, e edhe me agjencitë e ndryshme edukative, është faktikisht e impenjuar në të katër anët e botës për t’iu kundërvënë përhapjes së vartësive, duke mobilizuar energjitë e veta në parandalimin, mjekimin, rehabilitimin dhe projektet e rikthimit në jetë, për t’u rikthyer kështu, edhe dinjitetin  atyre, që e humbën. Që të fitohet mbi vartësitë, duhet angazhim i përgjithshëm,  përfshirje e realiteteve të ndryshme, të pranishme në territor, të cilat duhet të vënë në jetë programe shoqërore, që synojnë mbrojtjen e shëndetit, mbështetjen familjare e, sidomos, edukimin. Në këtë perspektivë, bashkohem me  mendimin e formuluar nga Konferenca, që të ketë më shumë koordinim të politikave antidrogë e antivartësi. Nuk na duhen politikat e veçuara; ky është problem njerëzor, problem shoqëror; gjithçka duhet të jetë e ndërlidhur - duke krijuar rrjete të solidaritetit e të afërsisë për të gjithë ata, që preken nga këto patologji”.

01 dhjetor 2018, 17:16