Kërko

Papa dhe emigrantët Papa dhe emigrantët 

Dita e emigrantëve. Papa: asnjë zemër të mos mbyllet ndaj mikpritjes

Sot është Dita e 18-të Ndërkombëtare për Emigrantët. Papa Françesku fton të mirëpriten dhe përsërit në një tweet: mos i mbyllni zemrat, siç patën bërë me dyert e shtëpive të Betlehemit.

R.SH. - Vatikan

 “Jezusi e njeh mirë dhimbjen e mospranimit. Zemra jonë të mos jetë e mbyllur, siç ishin shtëpitë e Betlehemit”. Në një tweet, botuar në faqen papnore @Pontifex, Ati i Shenjtë e fton botën t’i mirëpresë ata, që ikin nga tokat e tyre, për faj të urisë, luftës, terrorizmit apo fatkeqësive natyrore, shkaktuar nga ndryshimet klimatike. E bën këtë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Emigrantët. Një kremtim, që filloi 18 vjet më parë, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve emigrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, edhe sot, paralajmërim për qeveritë dhe institucionet, por edhe rast për nisma pozitive dhe për praktika të mira në fushën e pritjes, të integrimit dhe të mbështetjes.

Statistikat e OKB-së

Sot - sipas statistikave të OKB-së - rreth 258 milionë njerëz kanë lënë vendet e tyre të lindjes dhe jetojnë në vende të tjera, duke e rritur shifrën me 49% krahasuar me vitin 2000, kur ajo ishte rreth 173 milion. Mbi 60% e të gjithë emigrantëve në botë jetojnë në Azi (80 milionë) dhe në Evropë (78 milionë). Në Amerikën e Veriut janë 58 milionë, në Afrikë 25. Të bën të reflektosh fakti se dy të tretat e këtyre emigrantëve, në vitin 2017, janë shpërngulur vetëm në njëzet vende në të gjithë globin.

Të luftohen perceptimet e gabuara mbi emigracionin

Numri i refugjatëve dhe i azilkërkuesve, sipas statistikave të vitit 2016, vlerësohet të jetë diçka më pak se 26 milionë. Turqia strehon shumicën e tyre (3 milionë), e ndjekur nga Jordania, Palestina, Libani dhe Pakistani. Asnjë shtet i BE-së, as SHBA-të nuk janë në vendet e para të kësaj renditjeje. “Të dhënat e besueshme janë thelbësore për të luftuar perceptimet e gabuara për emigracionin dhe për të informuar opinionin publik mbi politikat e emigracionit”, deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Shoqërore, Liu Zhenmin, duke cituar negociatat mbi Global Compact për emigracionin.

Asnjë vend nuk duhet lënë vetëm

“Në shtator 2016 - kujton raporti i OKB-së - 193 shtetet anëtare, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara nën presidentin Barak Obama, miratuan Deklaratën e Nju Jorkut për refugjatët dhe emigrantët, në të cilën pohohet se asnjë vend nuk mund të lihet vetëm para emigracionit ndërkombëtar. Shtetet u impenjuan ta ndajnë në mënyrë më të barabartë peshën e strehimit të refugjatëve. Gjithashtu, ranë dakord të mbrojnë të drejtat e njeriut të emigrantëve dhe të luftojnë ksenofobinë dhe intolerancën ndaj tyre. Përveç kësaj, u morën vesh të fillojnë një proces, që duhej të çonte në miratimin e një pakti global në vitin 2018”, por ai akoma nuk është konkretizuar. Raporti vëren se “emigrantët kanë kontribuar në rritjen e popullsisë në Amerikën e Veriut dhe në Oqeani. Pa emigrantë, popullsia evropiane do të ishte zvogëluar ndjeshëm në periudhën 2000-2015”.

18 dhjetor 2018, 16:07