Cerca

Vatican News

Videomesazhi i Papës për DBR-në e Panamasë: forca e të rinjve përmbys “të fortët”

Videomesazh i Papës Françesku për Ditën e 34-t Botërore të Rinisë, që kremtohet në Panama, nga 22 deri më 27 janar 2019. Nga Ati i Shenjtë, nxitja për “të dalë nga vetja” e për të shkuar drejt të tjerëve, në një “revolucion të vërtetë të shërbimit”.

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur sot, mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 34-t Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Panama në janar 2019. Për herë të parë, ky mesazh i Atit të Shenjtë jepet kryesisht në formën e videomesazhit, në mënyrë që të arrijë tek sa më shumë të rinj, duke përdorur gjuhën e tyre, siç kërkuan vetë gjatë Sinodit kushtuar rinisë, i cili sapo përfundoi në Vatikan.

Tema e mesazhit: “Ja shërbëtorja e Zotit; më ndodhtë siç the ti!”

         Tema e mesazhit papnor është marrë nga Ungjilli sipas Lukës: “Ja shërbëtorja e Zotit; më ndodhtë siç the ti!” (1,38). Jo më kot, videomesazhi publikohet në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës në Tempull, duke mbyllur një cikël tre mesazhesh mariane, kushtuar të rinjve që nga DBR-ja e vitit 2016.

Dëgjojeni Zotin, si Maria

         Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë u drejtohet të rinjve të gjithë botës – besimtarë e jo – duke i inkurajuar të zbulojnë vlerat karakteristike të rinisë. I lavdëron për gatishmërinë në shërbim të të tjerëve dhe i fton ta bëjnë këtë në perspektivën e krishterë:

         “T’i shërbesh të afërmit – thekson Papa Françesku – nuk do të thotë vetëm të jesh gati për veprim; duhet edhe të dialogosh me Zotin, duke e dëgjuar, siç bëri Maria. Ajo dëgjoi atë, që i tha engjëlli e, pastaj, u përgjigj”.

Zoti ka një plan për të na e bërë jetën të lumtur

Videomesazhi shërben si mjet përgatitjeje shpirtërore për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë në Panama, por edhe si frymëzim për baritorinë rinore të Kishës në gjithë botën. Kujtojmë se të rinjtë do të mblidhen në Panama, së bashku me Papën, nga 22 deri më 27 janarin e ardhshëm. E Ati i Shenjtë, duke i lënë në dorën e Zojës, i këshillon:

“Propozimet e Hyjit për ne, si ai që i bëri Marisë, nuk janë për të shuar ëndrra, por për të ndezur dëshira; për të bërë ç’është e mundur që jeta jonë të sjellë fryte, të çelë shumë buzëqeshje e të gëzojë shumë zemra. Përgjigjja pozitive për Zotin është hapi i parë për të qenë të lumtur e për t’i bërë të lumtur shumë njerëz”.

Ja teksti i plotë:

Të dashur të rinj,

         po i afrohemi Ditës Botërore të Rinisë, që kremtohet në Panama në muajin e janarit e do të ketë si temë përgjigjen e Virgjërës Mari për thirrjen e Zotit: “Ja shërbëtorja e Zotit; më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38).

         Fjalët e saj janë një “po” e guximshme dhe bujare. Po-ja e atij, që e kupton sekretin e thirrjes: të dalësh nga vetja e të vihesh në shërbim të të tjerëve. Jeta jonë gjen kuptim vetëm në shërbimin për Zotin e për të afërmin.

         Ka shumë të rinj, besimtarë e jo besimtarë, që në përfundim të një periudhe studimesh shfaqin dëshirën të ndihmojnë të tjerët, të bëjnë diçka për ata që vuajnë. Kjo është forca e të rinjve, forca e të gjithë juve, që mund të ndryshojë botën; ky është revolucioni, që mund të përmbysë “të fortët” e kësaj toke: “revolucioni” i shërbimit.

         T’i shërbesh të afërmit nuk do të thotë vetëm të jesh gati për veprim; duhet edhe të dialogosh me Zotin, duke e dëgjuar, siç bëri Maria. Ajo dëgjoi ç’i thoshte engjëlli e, pastaj, u përgjigj. Nga këto marrëdhënie me Hyjin, në heshtjen e zemrës, zbulojmë identitetin tonë dhe thirrjen për të cilën na do Zoti e që mund të shprehet në forma të ndryshme: në martesë, në jetën e shuguruar, në meshtari… Të gjitha këto, janë mënyra për të ndjekur Jezusin. Rëndësi ka të zbulojmë ç’pret Zoti prej nesh e të kemi guximin për të thënë “po”.

         Maria ishte grua e lumtur, sepse u tregua bujare para Zotit dhe e pranoi planin, që kishte për të. Propozimet e Hyjit për ne, si ai që i bëri Marisë, nuk janë për të shuar ëndrra, por për të ndezur dëshira; për të bërë ç’është e mundur që jeta jonë të sjellë fryte, të çelë shumë buzëqeshje e të gëzojë shumë zemra.

         Përgjigjja pozitive për Zotin është hapi i parë për të qenë të lumtur e për t’i bërë të lumtur shumë njerëz.

         Të dashur të rinj, kini guximin të hyni – secili - në shpirtin tuaj e ta pyesni Zotin: çfarë do prej meje? Lëreni Hyjin t’ju flasë e do ta shihni jetën të shndërrohet e të mbushet me gëzim.

         Para Ditës Botërore të Rinisë në Panama, tashmë afër, ju ftoj të përgatiteni, duke i ndjekur e duke marrë pjesë në të gjitha nismat, që do të realizohen. Do t’ju ndihmojë të ecni drejt asaj ngjarjeje. Shën Maria Virgjër ju shoqëroftë në këtë shtegtim e shembulli i saj ju shtyftë të përgjigjeni me guxim e bujari.

         Udhë të mbarë drejt Panamasë! Mos harroni të luteni për mua. Mirupafshim së shpejti.

21 nëntor 2018, 12:19