Cerca

Vatican News
Papa Françesku Papa Françesku  (Vatican Media)

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës Katolike

Nga lutja e Engjëllit të Tënzot, me Papën në Vatikan e deri tek përkujtimi i 100-vjetorit të Luftës I Botërore: një javë me Atin e Shenjtë e me Kishën Katolike.

R.SH. - Vatikan

Dje, Papa Françesku priti pjesëmarrësit e asamblesë së përgjithshme të Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, në Sallën e Koncistorit, ndërsa pak më vonë, në Sallën Klementine, bisedoi me rreth 300 anëtarë të shoqatës “Nxënësit e Qiellit”. Kjo shoqatë është themeluar nga një grup të rinjsh, të cilët, nga viti 1968, janë impenjuar ta kumtojnë Ungjillin me muzikë e këngë, me koncerte në të gjithë Evropën. Këtë vit festojnë 50-vjetorin e themelimit.

Po dje, në Bazilikën e Sagrada Familia, në Barcelonë të Spanjës, u shpall i lum meshtari Teodoro Illera Del Olmo, i Kongregatës së Shën Pjetrit në Vincoli, si edhe 15 shokët e tij, të gjithë martirë. Mesha u kremtua në orën 11.00, nga përfaqësuesi i Papës, kardinali Giovanni Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve. Këta martirë u vranë nga urrejtja për fenë, gjatë persekutimit fetar në Spanjë, ndërmjet viteve 1936 e 1937.

Askush nuk është “zotërues absolut i pasurisë” që ka, por secili prej nesh është administrator i saj, pasi edhe pasuria është dhuratë e Provanisë Hyjnore dhe si e tillë duhet trajtuar. Kështu tha Papa Françesku në katekizimin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, 7 nëntor, duke i dhënë kështu një interpretim të ri urdhërimit të shtatë të Tënzot, “mos vidh”. Ati i Shenjtë shpjegoi se ky urdhërim nuk duhet parë vetëm si detyrë për të mos ua marrë pasurinë të tjerëve, por edhe si detyrë për të pasurit që ta përdorin ç’kanë në të mirë të shoqërisë. Papa kërkoi që pasuria të ketë një përmasë shoqërore, për të zgjidhur problemet e atyre që “jetojnë në një mjerim shkandullues”, jo sepse mungojnë të mirat materiale, por sepse ato shpërndahen në mënyrë jo të barabartë. E “ndërsa njerëzimi shqetësohet për të pasur më shumë, Zoti – theksoi Papa në audiencë – e shëlbon duke u bërë i varfër” deri në kryq. Prandaj, përfundoi Ati i Shenjtë, “jeta nuk është kohë për të pasur, por për të dashur”.

Javës së kaluar u bë e njohur tema e Ditës së 52-të Botërore të Paqes, e cila kremtohet më 1 janar 2019. Kësaj radhe, Papa Françesku synon shndërrimin e politikës. “Politika e mirë është shërbim për paqen”: kjo është tema e Ditës.

Duke dhënë lajmin, zyra e shtypit e Vatikanit, shton gjithashtu edhe këtë koment: “Përgjegjësia politike i përket çdo qytetari e, në mënyrë të veçantë, atyre që kanë marrë mandatin për qeverisje. Ky mision ka të bëjë me mbrojtjen e së drejtës dhe me nxitjen e dialogut ndërmjet protagonistëve të shoqërisë, ndërmjet brezave e kulturave. Nuk ka paqe pa besim të ndërsjelltë.

E besimi ka si kusht të parë respektimin e fjalës së dhënë, të besës. Angazhimi politik - që është një nga shprehjet më të larta të dashurisë - sjell shqetësimin për të ardhmen e jetës dhe të planetit, për të rinjtë e për të vegjlit.

Kur njeriut i respektohen të drejtat - siç kujtonte Papa Shën Gjoni XXIII në Enciklikën Pacem in terris (1963) - në të zgjohet ndjenja e detyrës për t’i respektuar të drejtat e të tjerëve. Të drejtat dhe detyrat e njeriut e rrisin vetëdijen e përkatësisë në të njëjtën bashkësi me të tjerët dhe me Zotin (krh. Ibid., 45). Pra, jemi të thirrur ta arrijmë e ta kumtojmë paqen si lajm të mirë për një të ardhme ku çdo njeri do të konsiderohet në dinjitetin dhe të drejtat e tij”.

 “Të shkoni në Tokën Shenjte jo vetëm për të parë gurët e shenjtëroreve e mbetjet e dëshmive biblike, por për të takuar bashkësitë e krishtera, me jetën, sfidat, vuajtjet dhe me dashurinë e tyre të përditshme”. Kjo është ftesa e prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore, kardinalit Leonardo Sandri, gjatë konferencës për shtyp të së mërkurës së kaluar, gjatë së cilës u paraqit Konsulta e ardhshme e urdhërit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit.

  Asambleja e këtij institucioni papnor, që mblidhet çdo 5 vjet e punon për të mbështetur Kishën në Tokën Shenjte, do të mbahet në Romë nga 13 deri më 16 nëntor. Në të marrin pjesë të gjithë përgjegjësit ndërkombëtarë të Urdhërit dhe përfaqësues nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit e nga Kongregata për Kishat Lindore. Aktualisht, Urdhëri garanton financimin e disa projekteve për zhvillimin e ndihmën e realiteteve të ndryshme baritore, si edhe në përgjithësi, ndihmon në mbarëvajtjen e jetës së Kishave Lindore.

Që zhvillimi ekonomik të jetë në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor dhe puna të jetë “dinjitoze, e qëndrueshme dhe e mundshme për të gjithë”, Komisioni i episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) ka përzgjedhur 17 drejtime politike, publikuar javën e kaluar në dokumentin me titull “Të projektojmë të ardhmen e punës”. Dokumenti synon të jetë në tryezën e institucioneve të Bashkimit Evropian, që do të dalin nga zgjedhjet e majit 2019.

         Që puna të jetë dinjitoze, nënvizon Comece, duhen shndërruar në vendime politike konkrete të drejtat shoqërore evropiane “duke riekulibruar kështu liritë ekonomike dhe të drejtat shoqërore”. Rekomandohet edhe garantimi i kushteve të përshtatshme të punës dhe respektimi i normave ndërkombëtare. Flitet për promovimin e njohjen e kujdesit për njerëzit e familjes dhe të vullnetariatit, për favorizimin e shkëmbimeve të praktikave të mira përsa i përket orarit të punës, si edhe për mbrojtjen e të drejtës për pushim ditën e diel.

 

Sot, katolikë e protestantë në Indi kremtojnë “Të Dielën për çlirimin e dalitëve”. Nisma promovohet nga Kisha Katolike, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kishave – forum, ku bëjnë pjesë Kishat protestante dhe ortodokse. Tema e këtij edicioni është “Sa më takon mua dhe shtëpisë sime, duam t’i shërbejmë Hyjit”, marrë nga Libri i Jozuehut. Ajo është zgjedhur për të kujtuar 10-vjetorin e dhunës kundër të krishterëve në Kandhamal të Orisës. Jo më larg se këto ditë, pas shpalljes së pafajësisë së Asia Bibit, gruas së krishterë indiane akuzuar për blasfemi, protestat e hinduistëve në vend bënë që rasti t’i kthehej Gjykatës së Lartë.

 

Po sot, me rastin e 100-vjetorit të fundit të Luftës I Botërore, përfaqësues të Kishave në Evropë e kujtuan këtë ngjarje me lutje për pajtim. Nga Flandrat në Belgjikë, në fshatrat e Francës, të Britanisë së Madhe e të Gjermanisë, këmbanoret përkujtuan me tinguj mortorë ata, që humbën jetën gjatë konfliktit. Data e sotme kujton nënshkrimin e armëpushimit nga ana e Gjermanisë.

11 nëntor 2018, 12:56