Tweet i Papës Françesku: vdekja nuk e ka fjalën e fundit!
R. SH. - Vatikan
“Besimi ynë në ringjalljen na bën njerëz të shpresës e jo të dëshpërimit, njerëz të jetës, e jo të vdekjes, sepse na ngushëllon premtimi i jetës së pasosur, që buron nga Krishti i ngjallur”. Papa ka folur shumë herë për përkujtimin e sotëm të të gjithë besimtarëve të vdekur, duke na kujtuar se Jezusi “me dashurinë e Tij, e copëtoi zgjedhën e vdekjes e na hapi portat e jetës”.
Shpresa e jetës - pati kujtuar Papa më 3 nëntorin e kaluar në Meshën për shpirt të kardinajve e ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit - e rindezur nga Fjala e Zotit, na ndihmon të mbushemi plot me shpresë përballë vdekjes. Mbasi Jezusi na dëshmoi se ajo nuk është fjala e fundit. Fjala e fundit është dashuria përdëllyese e Atit, që na shndërron e na bën të jetojmë përgjithmonë në bashkim të amshuar me Të”.