Kërko

Takimi ndërkombëtar i Koraleve në Vatikan Takimi ndërkombëtar i Koraleve në Vatikan 

Takimi ndërkombëtar i Muzikës Korale në Vatikan. Papa me pjesëmarrësit

Dje, në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku takoi pjesëmarrësit e Takimit ndërkombëtar të Muzikës Korale, gjithsej 7 mijë vetë, që në mbrëmje, duke u nisur nga ora 18 e deri në orën 20, dhanë një koncert po në atë Sallë.

R.SH. - Vatikan

Është hera e tretë, që Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri organizon një takim të tillë, në bashkëpunim me Nova Opera Onlus. Këngëtarët e muzikantët nga e gjithë bota u mblodhën nga data 23 nëntor e deri më sot, në Vatikan.

Koncerti i së shtunës

         Në takimin e në koncertin e së shtunës mori pjesë edhe grupi i arbëreshëve, i pranishëm, të hënën e kaluar, në audiencën e Papës Françesku me shqiptarët, me rastin e Vitit jubilar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Këngëtarët ishin të ndarë në katër zëra, duke formuar një kor të madh polifonik, së bashku me korin e dioqezës së Romës dhe me një kor të madh në skenë, përbërë nga 600 koristë dhe 70 elementë orkestre, me dirigjent imzot Marco Frisinën.

Mesha e sotme në Bazilikën e Shën Pjetrit

         Sot në orën 10.00, rreth 8 mijë koristë morën pjesë në meshën e orës 10, kremtuar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Pjesëmarrësit u zhvendosën pastaj në shesh, për lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me Papën Françesku.

         Pas Takimit të parë në vitin 2014 dhe pas Jubileut të Muzikës Korale në vitin 2016, ku morën pjesë rreth 8 mijë vetë, kapelat e ndryshme muzikore, koret dioqezane e famullitare, muzikantët, organistët, drejtuesit e koreve dhe të zyrave liturgjike nga e gjithë bota u mblodhën sërish këto ditë, në Vatikan, për festën e Shën Ҫeçiles, Pajtore e muzikës dhe e muzikantëve.

25 nëntor 2018, 12:06