Cerca

Vatican News
Kryqi i DBR-së në Panama Kryqi i DBR-së në Panama  (AFP or licensors)

Programi i Papës Françesku për DBR-në e Panamasë

Ati i Shenjtë do të udhëtojë për në Panama nga 23 deri më 28 janar 2019, me rastin e Ditës së 34-t Botërore të Rinisë. Programi u njoftua mbrëmë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Udha e Kryqit, më 25 janar, në sheshin e Shën Marisë Antigua në Cinta Costera, lutja me të rinjtë, pasditen e 26 janarit, në sheshin Shën Gjon Pali II dhe mesha e ditës së nesërme, janë disa nga çastet më të rëndësishme të udhëtimit të Papës Françesku në Panama, për Ditën e 34-t Botërore të Rinisë.

Nisja, 23 janar

         Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njofton se Papa do të niset me avion nga aeroporti Roma/Fiumicino, në orën 9.35 të 23 janarit e do të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar Tocumen, Panama, në orën 16.50, për të shkuar në nunciaturën apostolike, menjëherë pas pritjes zyrtare.

Të enjten, 24 janar, përurimi i DBR-së

         Paraditen e së enjtes, 24 janar, Ati i Shenjtë do të takohet me presidentin e Republikës së Panamasë në Palacio de las Garzas e, në orën 10.40, do t’u flasë autoriteteve, Trupit diplomatik e përfaqësuesve të shoqërisë në ministrinë e Punëve të jashtme, në Palacio Bolivar. Pastaj, takimi me ipeshkvijtë qendroamerikanë në kishën e Shën Françeskut të Asizit e, në orën 17.30, përurimi zyrtar i Ditës Botërore të Rinisë në sheshin e Shën Marisë Antigua.

Takimi me të rinjtë e burgosur dhe Udha e Kryqit

         Më 25 janar, në orën 10.30, Papa Françesku do të kryesojë Liturgjinë Pendestare me të rinjtë e burgut të të miturve në Las Garzas të Pacora-s, në lindje të kryeqytetit. Pas kthimit në Nunciaturën Apostolike, në orën 17.30, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në Udhën e Kryqit me rininë, ndërsa paraditen e së shtunës, 26 janar, do të kremtojë meshën, në katedralen-bazilikë të Shën Marisë Antigua, në praninë e klerit vendas dhe të lëvizjeve laike. Gjatë saj, do të kremtojë edhe kushtimin e altarit.

Më 27 janar, mesha me të rinjtë

         Dreka me të rinjtë në Seminarin e madh të Shën Jozefit i paraprin lutjes me ta, që fillon në orën 18.30 e do të vazhdojë deri natën vonë. Të diel, 27 janar, në orën 8.00, do të kremtohet Mesha për Ditën Botërore të Rinisë, një nga veprimtaritë kryesore të Papës Françesku në Panama. Në orën 10.45, Ati i Shenjtë do të vizitojë qendrën “Casa Hogar e Samaritanit të Mirë” dhe në orën 16.30, do të takohet me vullnetarët e DBR-së në stadiumin Rommel Fernandez.

Kthimi në Vatikan, më 28 janar

         Në orën 18.00, ceremonia e lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Panamasë dhe nisja për Romë, ku Papa Françesku pritet të mbërrijë në orën 11.50 të së hënës, 28 janar.

21 nëntor 2018, 16:05