Kërko

Paqe “pa përjashtuar askënd”: kujtimi i vizitës së Papës në Mianmar e në Bangladesh

Mbrëmjen e 26 nëntorit të një viti më parë, avioni papnor ngrihej në fluturim nga aeroporti i Fiumiçinos për të shkuar në Mianmar e në Bangladesh. Një vizitë e rëndësishme e Papës Françesku, ndërmjet dy vendesh, që, më tepër se kufiri, i bashkon fati i një etnie refugjatësh dhe pajtimi i së tashmes me të kaluarën e vështirë.

R.SH. - Vatikan

“Sot, Zoti quhet edhe Rohingja”. Nuk është frazë, që kalon pa zhurmë, sidomos kur e thotë një papë. E kështu ndodhi me të vërtetë, një vit më parë, kur u tha nga Papa Françesku, u dëgjua e u regjistrua nga gazetarët e gjithë botës, të cilët mbetën të shtangur nga shqiptimi i asaj fjale, që konsiderohej një lloj tabuje. Papa jo vetëm që e shqiptoi në fund të takimit ekumenik në Dakha, por shprehja e vuajtjes, që i dukej në fytyrë, ndërsa përqafonte ata refugjatë të braktisur prej gjithkujt, fjalët e tij të qarta - “në emër të gjithë atyre, që ju kanë persekutuar, që ju kanë bërë keq, kërkoj falje” – janë kujtesë e gjallë e atij udhëtimi në Lindje, filluar më 26 nëntor 2017. Papa shkonte në Mianmar e në Bangladesh si shtegtar “pajtimi” ndërmjet dy vendeve të ndarë nga drama e një populli.

“Pa përjashtuar askënd”

         E ndërsa kronika e kohëve të fundit i ka ndezur sërish reflektorët mbi veprimtarinë e ministres së jashtme të Mianmarit, Aung San Suu Kyii, mbetet kujtesa e përzemërsisë me të cilën politikania Ҫmim Nobel për paqen vlerësoi “dhuratat e dhembshurisë e të inkurajimit”, që miku i ardhur nga Vatikani ofroi për paqen në vend. Papa Françesku, nga ana e tij, pati kërkuar që Mianmari të mos e injorojë parimin universal “të respektit për çdo grup etnik e për identitetin e tij”, duke pohuar se “një rend demokratik” u jep liri të gjithëve “pa përjashtuar askënd”. Siç u tha gazetarëve, në avionin e kthimit, Ati i Shenjtë e kishte mirë parasysh se Mianmari kalonte e kalon akoma një kohë tranzicioni, gjatë së cilës, rruga për krijimin e një identiteti të ri, mund të ketë edhe gabime.

Magjisteri i periferive

         Papa e përsëriti sërish konceptin e “paqes për të gjithë”, gjatë takimit me murgjërit budistë në Yangoon e pastaj, edhe me gjeste, kur përkëdheli të sëmurët, të mëdhenj e të vegjël, në Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës në Tejgaon të Dakha-s, një nga ato çaste, gjatë të cilave, vihen tulla të reja në magjisterin e Françeskut mbi periferitë. Pas vizitës në këto dy vende, një vit më parë, mbetet akoma lamtumira paralele e Atit të Shenjtë, fjala e fundit për Mianmarin e për Bangladeshin e së nesërmes, që Papa ua tha të rinjve. Mbetet lutja e tij për të thyer hekurat e kafazit të “botës së vogël” e të mbyllur të asaj shoqërie, ose të asaj feje, që s’bën tjetër, veçse ndan në të mirë e në të këqinj, pa zgjedhur rrugën, që mund të japë shpresa konkrete për pajtim. Papa Françesku la pas idenë e një shoqërie, që pranon e mirëpret kë mund të “veprojë e të mendojë ndryshe nga ne”.

26 nëntor 2018, 13:40