Kërko

 Papa në Sheshin e Shën Pjetrit Papa në Sheshin e Shën Pjetrit 

Papa viziton qendrën shëndetësore për të varfërit, në Shën Pjetër

Ishte ora 16.15, kur nga kolonati i Sheshit të Shën Pjetrit doli Papa Françesku që, në këmbë, duke ardhur nga Shtëpia e Shën Martës, u drejtua nga qendra shëndetësore, vendosur aty me rastin e Ditës II Botërore të të varfërve.

R: SH. - Vatikan

Një e papritur për gjithë personelin mjekësor dhe infermieristik i cili, që nga e diela e kaluar e deri në këtë, që vjen, po u ofron të pastrehëve, nevojtarë e emigrantë, mjekime e vizita mjekësore falas. Françesku - siç bëri vitin e kaluar me minispitalin e organizuar nga Veprat e Mëshirës për të njëjtin kremtim - deshi ta takonte e ta falënderonte për këtë shërbim personelin që,  në pesë ditë, ka pritur e përcjellur, krejt të kënaqur, më se 200 vetë.

Bergoglio, i rrethuar me duartrokitje, brohori, habi e smartphonë, që xhironin video e shkrepnin selfie, hyri në strukturë, duke përshëndetur ata që ndodheshin aty atë ças: vullnetarë e pacientë. Nësa i vizitonte të gjitha minirepartet (kardiologji, infektologji, dermatologji, okulistikë, gjinekologji, për të kujtuar vetëm disa), Papa Françesku u ndalua për të shkëmbyer nja dy fjalë a për të shtrënguar duart me nevojtarët, në pritje të vizitës. Të gjithëve u shpërndau rruzare. Nuk mungoi as përshëndetja drejtuar disa turistëve, që po kalonin në Shesh e që u ndaluan, sapo vërejtën se xhandarët po mbyllnin kalimet në zonë.

Dalja e papritur e Papës, që mund të radhitet në listën e “të Premteve të Mëshirës”, zgjati 20 minuta, pas të cilave Françesku u largua nga Sheshi dhe u rikthye, gjithnjë në këmbë, në Vatikan.

16 nëntor 2018, 17:57