Kërko

Universiteti Papnor Lateranens Universiteti Papnor Lateranens 

Papa: universiteti të promovojë vlera kundër izolimit, që sjell luftë

Papa Françesku themeloi një cikël studimesh në Shkencat e Paqes, në Universitetin Papnor Lateranens, për “një përgatitje të përshtatshme të veprimtarëve aktuale e të ardhshëm” të pajtimit, përmes formimit specifik shkencor të meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve.

R.SH. - Vatikan

Një cikël studimesh, që promovon “përgatitjen e përshtatshme të veprimtarëve të sotëm e të ardhshëm të paqes”. Kështu shkruan Papa Françesku në Letrën për Kancelarin e Madh të Universitetit Papnor Lateranens, kardinalin vikar Angelo De Donatis, duke themeluar një cikël studimesh në Shkencat e Paqes. Fjalët e Atit të Shenjtë u lexuan nga Zëvendësi për Punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kryeipeshkvi Edgar Peña Parra, në përurimin e vitit akademik të ateneut, në 246-vjetorin e jetës së këtij universiteti.

Dialog i aftë të shuajë urrejtjen

         Në një kohë, në të cilën “shtohet nevoja e parandalimit dhe e zgjidhjes së konflikteve”, shkruan Papa në ditën kur Kisha Katolike përkujton të Lumin Gjoni i Paqes, është i nevojshëm një “impenjim edukativ për të dëgjuar e për të kuptuar” të tjerët, së bashku me “njohjen dhe studimin e trashëgimisë së vlerave, të nocioneve dhe të mjeteve, në gjendje t’u kundërvihen prirjeve për izolim e mbyllje, si edhe logjikave të pushtetit, që mbartin në vetvete dhunë e shkatërrim”. Mjetet e pajtimit, format e drejtësisë së tranzicionit, garancitë për zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtja dhe ruajtja e gjithësisë, thekson Papa Françesku, janë sot disa nga instrumentet, që mund t’u hapin udhën formave të zgjidhjes paqësore të konflikteve, të zhdukin karrierizmat dhe pozitat mbizotëruese e kështu, të formohen njerëz, që i kushtohen pa rezerva shërbimit për çështjen e njeriut.

Të kapërcehen konfliktet përmes diplomacisë

         Për të qenë “ndërmjetësuese e besueshme” para opinionit publik, Kisha, vëren Papa Françesku në Letër, duhet të favorizojë “zgjidhjen e problemeve, që kanë të bëjnë me paqen, pajtimin, ambientin, mbrojtjen e jetës, të drejat njerëzore e civile”. Këtë bën Selia e Shenjtë, duke përdorur mjetet e diplomacisë, por edhe rrjetin botëror të universiteteve kishtare, i cili, duke u përtërirë e pasuruar vazhdimisht, mund të sjellë atë “risim të guximshëm kulturor, që kërkon çasti aktual”. Papa e këshillon Kishën t’u drejtohet brezave të rinj, duke u mësuar si ta kryejnë detyrën misionare për t’u kumtuar Lajmin e Mirë gjithë njerëzve, pa frikë se po rrezikojnë jetën e po ëndërrojnë një paqe, që duket larg.

Programi i studimit të shkencave të paqes

         Për këtë arsye, cikli i studimeve në Shkencat e Paqes është i lidhur dhe i ndërvarur nga fusha të ndryshme, si ajo teologjike, filozofike, juridike, ekonomike e shoqërore. “Struktura kurrikulare – nënvizon Papa Françesku – do të shfrytëzojë mësimet e dhëna në Fakultetet e në Institutet e Universitetit Lateranens, për të marrë gradën akademike të Baçeleratit e të Liçencës, përkatësisht, në përfundim të ciklit të parë 3-vjeçar dhe të dyvjeçarit të specializimit”.

Nën mbrojtjen e shën Gjonit XXIII dhe të shën Palit VI

         Ky fryt i ri i kujdesit të Kishës vihet nën mbrojtjen e paraardhësve të Papës Françesku, shën Gjonit XXIII dhe shën Palit VI, të dy papë, që kontribuan jashtëzakonisht në zhvillimin e magjisterit për arritjen e paqes. Gjithashtu, Ati i Shenjtë ia beson ciklin e ri universitar edhe Zojës Mbretëreshë të Paqes, e cila të na ndihmojë –lutet Papa – “ta kuptojmë e ta jetojmë atë vëllazërim, që na kërkon zemra e Birit të saj, nga ku rrjedh paqja e vërtetë”.

12 nëntor 2018, 14:15