Cerca

Vatican News
Krishti, Mbret i Gjithësisë Krishti, Mbret i Gjithësisë  (©Renáta Sedmáková - stock.adobe.com)

Papa tha lutjen e Engjëllit të Tënzot në të kremten e Krishtit Mbret

Papa Françesku tha sot lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në festën e Krishtit Mbret, me të cilën përfundoi Viti Liturgjik. Krejt bota katolike përgatitet tani për të pritur Kohën e Ardhjes, që na çon drejt Krishtlindjes.

R.SH. - Vatikan

Festa e Krishtit Mbret është solemnitet, që kremton Krishtin, Zot të kohës e të historisë, fillimi e fundi i të gjitha gjërave, të cilit i nënshtrohen mbarë njerëzit e krijesat. Përveçse nga katolikët, kjo festë kremtohet edhe nga anglikanët, presbiterianët dhe nga disa luteranë e metodistë.

Si lindi festa?

         Ky solemnitet u vendos nga Papa Piu XI, me enciklikën “Quas primas” të 11 dhjetorit 1925, e cila kurorëzonte Jubileun e atij viti. Sapo u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, në vitin 1922, Piu XI dënoi haptas e qartë “liberalizmin katolik”, në enciklikën “Ubi arcano Dei”. Por, ai e kuptoi se kjo nuk do të vlente shumë, pasi populli vështirë se i lexonte mesazhet papnore. Prandaj, mendoi se mënyra më e mirë për ta kaluar mesazhin ishte liturgjia. Që këndej, zanafilla e “Quas primas”, në të cilën Papa dëshmonte se mbretëria e Krishtit u kërkonte dhe u kërkon katolikëve të bëjnë ç’është e mundur për ta çuar shtetin, ku bëjnë pjesë, drejt idealit katolik. Me këtë ndjet, vendosi festën liturgjike të Krishtit Mbret, për t’iu kundërvënë atij, që Piu XI e quan “kolera e laicizmit”, që e largon gjithnjë e më shumë njeriun dhe shoqërinë nga udha e Zotit. Për këtë arsye, Papa shpalli festën e “realitetit shoqëror të përhershëm e universal të Jezu Krishtit” kundër çdo lloj shteti ateist e të shekullarizuar, “kolerë e kohës sonë”.

Cila është Mbretëria e Krishtit?

         Kjo festë përkon me të dielën e fundit të vitit liturgjik, duke treguar se Krishti Shëlbues është Zoti i historisë dhe i kohës, është Alfa dhe Omega, siç lexohet në Librin biblik të Zbulesës. Mbretëria e Tij, shpjegonte Piu XI, është “shpirtërore dhe ka të bëjë me gjëra shpirtërore”, duke iu kundërvënë asaj të djallit dhe të fuqive të errësirës. Mbretëria për të cilën vetë Krishti flet në Ungjill, nuk është e kësaj bote, nuk vjen nga njerëzit, por vetëm  nga Zoti. Krishti ka ndërmend një mbretëri, që nuk imponohet me forcën e armëve, por me forcën e së Vërtetës dhe të Dashurisë. Njerëzit mund të hyjnë në të, duke u përgatitur me pendesë, përmes fesë e pagëzimit, që e përtërijnë njeriun shpirtërisht. Nënshtetasve të vet, ky Mbret, vijon Piu XI, u kërkon “jo vetëm një shpirt të shkëputur nga pasuritë dhe gjërat tokësore, butësinë, urinë dhe etjen për drejtësi, por edhe mohimin e vetvetes, duke marrë mbi supe kryqin e tyre”. Kjo Mbretëri, e pranishme mistershëm ndërmjet nesh, do të gjejë plotësimin e vet në fundin e kohrave, me ardhjen e dytë të Krishtit, kur, si Gjykatës e Mbret, do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Është realitet i zbuluar prej Zotit dhe i besuar gjithnjë nga Kisha.

Ҫ’është akti i kushtimit ndaj Krishtit Mbret?

         Në tri ditët para Solemnitetit të Krishtit Mbret, besimtarët luten në mënyrë të veçantë që Zemra e Krishtit të ngadhnjejë mbi të gjitha pengesat, të cilat i vihen mbretërisë së dashurisë së Tij. Pastaj, duke kërkuar ndërmjetësimin e Zojës, urohet që të gjithë popujt – të përçarë nga mëkati – t’i nënshtrohen dashurisë së Krishtit. Papa Leoni XIII, më 11 qershor 1899, ia kushtoi Kishën, botën dhe krejt njerëzimin Krishtit. Kjo lutje kushtimi, nëse thuhet  publikisht në solemnitetin e Krishtit Mbret, bën të fitohet ndjesa e plotë. Lutja është edhe kërkesë për faljen kolektive. Vërtet, ndërmjet fjalëve të saj, lexojmë: “Fatkeqësisht, shumë nuk të njohën kurrë; shumë, duke i përbuzur Urdhërimet e tua, të mohuan. O i miri Jezu Krisht, kij mëshirë si për të parët, ashtu edhe për të tjerët e, tërhiqi të gjithë drejt Zemrës sate të shenjtnueshme. O Zot, ji mbreti jo vetëm i besimtarëve, që nuk u larguan kurrë prej Teje, por edhe i atyre bijve plangprishës, që të braktisën”.

25 nëntor 2018, 12:11