2018.11.11 Angelus 2018.11.11 Angelus 

Papa kujtoi 100-vjetorin e Luftës I Botёrore: të investojmë për paqen, jo për luftën

Me rastin e njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore, Papa Françesku bëri një thirrje të re, kushtuar angazhimit për paqen.

R. SH. - Vatikan

Papa, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi se sot  përkujtohet njëqindvjetori i përfundimit të Luftës I Botërore, duke cituar paraardhësin, Benediktin XV, që e pati quajtur konfliktin “kërdi e kotë”.

Françesku njoftoi se, me këtë rast, sot, në orën 13.30 do të bien këmbanat e mbarë botës, edhe ato të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Faqja historike e konfliktit të parë botëror është për të gjithë qortim i ashpër, që të kujton se kultura e luftës duhet kundërshtuar e duhet kërkuar çdo mjet ligjor për t’u dhënë fund konflikteve, që gjakosin akoma  një mori zonash të botës. Duket se ne nuk mësojmë kurrë! Ndërsa lutemi për të gjitha viktimat e kësaj tragjedie të përbindshme, themi me forcë: “Të investojmë për paqen, jo për luftën!”.

Si shenjë simbolike të angazhimit për paqen, Papa Françesku kujtoi gjestin e  të madhit Shën Martin i Turit, të cilin e kremon sot Kisha:

“Ai e preu më dysh mantelin, për ta ndarë me një të varfër. Uroj që ky gjest solidariteti njerëzor t’u tregojë të gjithëve udhën për ndërtimin e paqes”.

 

11 nëntor 2018, 16:13