Kërko

Papa me një fëmijë gjatë audiencës së përgjithshme Papa me një fëmijë gjatë audiencës së përgjithshme 

Papa takohet me një grup fëmijësh të sëmurë: jeni të rëndësishëm

Papa Françesku u takua sot paradite në Vatikan, me një grup fëmijësh të sëmurë nga Polonia. Duke folur përzemërsisht me ta, i inkurajoi të ecin përpara, sepse “nuk ka vështirësi, që s’mund të kapërcehet në jetë”.

R.SH. - Vatikan

Mësohuni t’i flisni engjëllit tuaj të rojes: kështu u tha Papa Françesku, 62 fëmijëve të sëmurë të Klinikës onkologjike të Wroclavit në Poloni, të cilët i priti sot paradite në Sallën Klementine, në Vatikan. Duke folur pa letër, u tha:

         “Faleminderit për vizitën! Jam i kënaqur që ju shoh e ju përshëndes. Shumë faleminderit. Rruga e jetës suaj është pak e vështirë, të dashur fëmijë, sepse duhet të kuroheni, të fitoni mbi sëmundjen, ose të bashkëjetoni me të: e kjo nuk është e lehtë! Por, ju keni shumë miq, shumë miq që ju ndihmojnë. E, edhe familjarët ju ndihmojnë të ecni përpara. Mendoni mirë për këtë: nuk ka vështirësi, në jetë, që s’mund të kapërcehet. Fitorja është e ndryshme për çdo njeri - secili fiton sipas mënyrës së vet - por fitorja është gjithnjë ideali, horizonti drejt të cilit duhet të shkojmë. Mos u shkurajoni. E pastaj, një gjë tjetër: secilit prej nesh, Zoti i ka dhënë një engjëll roje, që kur jemi të vegjël e deri kur plakemi. Zoti na e ka dhënë të na ndihmojë në jetë. Secili prej nesh ka të vetin. Mësohuni t’i flisni engjëllit tuaj, që t’ju ruajë, t’ju frymëzojë e t’ju drejtojë gjithnjë drejt fitoreve në jetë. E juve, që i shoqëroni këta fëmijë: faleminderit! Ju falem nderit, sepse kujdeseni për ta, i ndihmoni të rriten”.

Ju jeni të rëndësishëm

         Papa nuk mungoi të bënte shaka me fëmijët, që e dëgjonin përmes dy përkthyesve. “E shikoni – u tha – ju jeni shumë të rëndësishëm, sepse për ta dëgjuar e për të folur me Papën keni nevojë për dy përkthyes: jeni të rëndësishëm!”

         Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë u dha bekimin, por, fillimisht, tha me ta, në polonisht, një Falemi Mari.

30 nëntor 2018, 14:50