Papa Françesku me anëtarët e Akademisë Papnore të Shkencave Papa Françesku me anëtarët e Akademisë Papnore të Shkencave 

Papa, shkencëtarëve: bindini qeveritarët për çarmatimin bërthamor

“Puna juaj shkencore i ndihmoftë të gjithë, që popujt e tokës të shuajnë urinë, etjen, të jenë të shëndetshëm e të formuar”: kjo, thirrja e Papës për anëtarët e Akademisë Papnore të Shkencave, të cilët i priti sot, në hapje të asamblesë së tyre të përgjithshme, në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

“Juve, të dashur shkencëtarë dhe miq të shkencës, ju janë besuar çelësat e dijes”: me këto fjalë, Papa Françesku iu drejtua 80 shkencëtarëve nga vende, fe e bindje të ndryshme ideologjike, anëtarë të Akademisë Papnore të Shkencave, mbledhur në Vatikan, në asamblenë e saj të përgjithshme, deri më 14 nëntor:

         “Dua të jem pranë jush, avokat i popujve, të cilëve nuk u mbërrijnë, veçse rrallë e për mall, përfitime nga dija e gjerë njerëzore e nga fitoret e saj, sidomos në fushën e ushqimit, të shëndetit, të edukimit, të ndërlidhjes, të mirëqënies e të paqes”.

Mungon vullneti politik për të ndalur garën e armatimeve

         Ka akoma shumë rrugë për të bërë “drejt një zhvillimi, që është njëkohësisht, i përgjithshëm dhe i gjithanshëm”, nënvizoi Papa. Ky lloj zhvillimi është i pamundur pa ndryshimin e mënyrës së jetesës, megjithëse, fatkeqësisht, theksoi Ati i Shenjtë:

         “…mungojnë vullneti dhe vendosmëria politike për të ndalur garën e armatimeve e për t’u dhënë fund luftrave, për të kaluar me urgjencë në energji të rinovueshme, në programe që sigurojnë ujë, ushqim dhe shëndet për të gjithë, vullneti për të investuar në të mirën e përbashkët kapitalet e jashtëzakonshme, që mbeten të papërdorura nëpër parajsa fiskale”.

Bashkësia shkencore duhet t’i shërbejë familjes njerëzore

         Bashkësia shkencore, theksoi Papa Françesku, duhet t’i shërbejë familjes njerëzore, me vetëdijen se ndryshimet globale ndikohen gjithnjë e më tepër nga veprimi i njeriut. Duhen mbrojtur planeti dhe popullsitë, vënë në rrezik nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile dhe nga çpyllëzimi i territoreve. Papa përmendi edhe “krizën e jashtëzakonshme shkaktuar nga ndryshimet e klimës”, “kërcënimin bërthamor”, duke u kërkuar shkencëtarëve t’i bindin qeveritarët për “papranueshmërinë etike të këtij armatimi, për shkak të dëmeve të pandreqshme, që i shkakton njerëzimit dhe planetit”.

Shqetësimi i drejtë i shkencëtarëve të sotëm

         Përsa i përket rolit të bashkësisë shkencore në botën bashkëkohore, Papa vërejti se “siguria e kullës së fildishtë të kohëve të para moderne i ka lënë vendin, në shumë vetë, një shqetësimi të drejtë, për të cilin shkencëtari i sotëm ia hap mendjen më lehtë vlerave fetare dhe sheh, përtej dijeve të shkencës, pasurinë e botës shpirtërore të popujve dhe dritën e transhendencës hyjnore”.

12 nëntor 2018, 18:45