Papa pret në audiencë presidentin izraelit Rivlin Papa pret në audiencë presidentin izraelit Rivlin 

Papa priti në audiencë Reuven Rivlin, president i Izraelit

Sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku priti në audiencë Reuven Rivlin, president i Shtetit të Izraelit.

R. SH. - Vatikan

Papa priti, dje, në audiencë, Reuven Rivlin, president i Shtetit të Izraelit, i cili, më pas, u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Paul Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë bisedimeve të përzemërta, shkëmbyer në prag të 25-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike - njofton Salla vatikanase e Shtypit - u kujtuan marrëdhëniet pozitive ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Izraelit e, përsa u përket autoriteteve  shtetërore dhe bashkësive katolike vendase, “u urua arritja e mirëkuptimit lidhur me disa çështje me interes të përbashkët”.

Më shumë besim ndërmjet izraelitëve e palestinezëve

U theksua rëndësia e krijimit të një besimi më të madh reciprok në prag të rifillimit të bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, për arritjen e një marrëveshjeje, që të respektojë aspiratat e ligjshme të të dy popujve. E u fol edhe për çështjen e Jeruzalemit, lidhur me përmasën fetare dhe njerëzore për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, pa harruar edhe rëndësinë e mbrojtjes së identitetit dhe të thirrjes së tij,  si “Qytet i Paqes”. Së fundi, u fol edhe për situatën politike e shoqërore të Rajonit, tronditur nga disa konflikte, me pasojë krizat humanitare. Në këtë  kontekst u vu theksi mbi rëndësinë e dialogut ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, me qëllim që të sigurohet bashkëjetesa paqësore dhe stabiliteti.

Papa-Rivlin: bisedë shumë miqësore

Bisedimi privat i Papës me Rivlin, zhvilluar në një atmosferë shumë miqësore, me shtrëngime duarsh e buzëqeshje të vazhdueshme nga të dyja palët, zgjati 35 minuta. Presidenti izraelit shprehu kënaqësinë e thellë që iu dha mundësia të takojë Papën, të cilit dhuroi një basoreliev realizuar nga një shkollë arti izraelite, ku duket Qyteti i Vjetër i Jeruzalemit, i ndarë në zonën myslimane, armene, kristiane dhe hebraike; ndërsa Papa i dhuroi mikut izraelit, medaljen e paqes, realizuar nga një artist italian, ku binte në sy shkretëtira dhe gruri - dy simbole, që flasin vetë!

16 nëntor 2018, 13:51