Kërko

 Takimi i Papës me bashkësinë ukrainase Takimi i Papës me bashkësinë ukrainase 

Papa për Ukrainën: misioni humanitar i Vatikanit

Bamirësia e Papës Françesku arrin në Ukrainë, përmes një delegacioni vatikanas, kryesuar nga kardinali Turkson.

R. SH. - Vatikan

Bamirësia e Papës Françesku arrin në Ukrainë. Një delegacion vatikanas, i kryesuar nga kardinali Turkson, kreu këto ditë një mision në vend, ku përuroi një sërë projektesh humanitare për popullsinë e dëmtuar rëndë nga konflikti.

Ukraina, tokë misioni e shprese

Nga 14 deri më 18 nëntor, kardinali Peter Turkson, prefekt i dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, dhe imzot Segundo Tejado Muñoz, zëvendës-sekretar, bënë një vizitë në vendin e Evropës Lindore, për të verifikuar vënien në jetë të disa projekteve humanitare, filluar e realizuar me dëshirën e Atit të Shenjtë, në kuadrin e nismës “Papa për Ukrainën”. Me ta, edhe nunci apostolik në vend, imzot Claudio Gugerotti si dhe disa prelatë të tjerë.

Vizitë popullsisë

Etapa e parë e misionit ishte ajo në Doneck e Kharkiv, që vuajtën më shumë nga operacionet ushtarake, filluar në vitin  2014 dhe nga konflikti, në vijim. Këtu delegacioni vatikanas u takua me disa familje, të cilat u pajisen me kaldaja për ngrohje. Vizitoi edhe Spitalin e Kramatorskut, qendër për mjekimin psiko-social të fëmijëve me tronditje pas-traumatike të cilëve, me këtë rast, iu dhuruan instrumentet e nevojshme për kontrollet kardiologjike. E akoma, vizituan një qendër sociale për të varfërit pa strehë, të sapopëruruar pranë Kishës së Kharkivit, kushtuar të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Së fundi, një shtëpi për vajza-nëna në rrethinat e Korotych.

Takimet

Më 17 e 18 nëntor, kardinali Turkson dhe imzot Tejado u takuan, në Nunciaturën Apostolike, me përfaqësues të autoriteteve civile, të Trupit Diplomatik, të episkopateve të Kishës romake-katolike dhe greko-katolike ukrainase; morën pjesë në takimin e lutjes për paqen me besimtarët katolikë dhe kremtuan Meshën në Konkatedralen e Shën Aleksandrit, në Kiev.

Së fundi, shkuan në mensën e Kievit për të varfërit e të pastrehët, drejtuar nga motrat e Nënë Terezës, ku drekuan bashkë me mysafirët e përditshëm. Domethënës, edhe takimi me organizmat e Karitasit si dhe me organizmat e bamirësisë së Kishës, që bashkëpunuan në aksionin papnor.

Solidariteti i Papës

Me projektin “Papa për Ukrainën”, nisur në qershor 2016, Papa Françesku deshi t’i shprehë dashurinë dhe solidaritetin mbarë popullit të Ukrainës, e, në veçanti, atyre që po vuajnë pasojat e kushteve dramatike, shkaktuar nga lufta, pa bërë asnjë dallim fetar. Aksioni, nën mbikqyrjen e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, u realizua në vend përmes bashkëpunimit të Nunciaturës Apostolike - nga një Komitet teknik, i vendosur në Zhaporizhia - për vitin e parë, e nga sekretariati teknik i Kievit, vitin e mëpasëm. Gjatë gjithë kohës u punua në bashkëpunim të ngushtë me organizmat e bamirësisë së Kishës e me organizatat ndërkombëtare, të ngarkuara me këtë detyrë.

Rezultatet

Gjatë dy vjetëve, falë këtij projekti, u grumbulluan 16 milionë euro - fryt i mbledhjes së lëmoshëve në të gjitha dioqezat e Evropës dhe të donacioneve personale të Atit të Shenjtë - nga të cilat përfituan më se 900 mijë vetë, në të gjithë zonën e operacioneve ushtarake, në territoret fqinje dhe në viset ku ndjehet më shumë prania e emigrantëve (Kharkiv, Dnipropetrovsk, Zaporizha, rrethi dhe qyteti i Kievit).

Fondet u përdorën kryesisht në disa sektorë, si përgatitja për dimër, në një vend ku temperaturat zbresin shpesh në -25°C (instalim kaldajash pranë banesave private e familjeve; furnizim me mbulesa dhe veshje dimërore; riparim ose restaurim i shtëpive, struktura edukative e shëndetësore),  me shpenzimin e 6 milionë eurove, në favor të 107 mijë nevojtarëve. Për mbrojtjen e shëndetit (furnizim me ilaçe, organizim klinikash të lëvizshme, pajisje me aparate mjeko-farmaceutike), u shpenzuan rreth 2 milionë euro, për 400 mijë vetë. Për ushqimin dhe higjienën (shpërndarje ushqimesh me afate të gjata skadence, prodhime shëndetësore, ushqime për fëmijët dhe gjellë të ngrohta për të varfërit, prodhime higjienike për të posalindurit dhe gratë shtatzëna) rreth 6 milionë euro, në dobi të 319 mijë personave e, së fundi, ndihma psiko-sociale për stresin pas-traumatik (aktivitete në strukturat e rehabilitimit, rindërtim i qendrave psikologjike, asistencë psikologjike për fëmijët dhe të rriturit) duke përdorur për këtë qëllim, 1 milion euro, për rreth 15 mijë vetë.

 

22 nëntor 2018, 12:13