Cerca

Vatican News

Papa: padrejtësia është rrënja e varfërisë. Ta dëgjojmë britmën e të fundmëve!

Në Bazilikën e Vatikanit Papa kremtoi sot Meshën me rastin e Ditës botërore të të varfërve dhe u kërkoi të gjithëve të dhurojnë dashuri, sipas shembullit të Jezusit, në një botë ku tepër shpesh njeriut i nëpërkëmbet dinjiteti, rrethuar nga indiferenca pothuajse e përgjithshme. Me këtë rast, Papa u takua me të varfërit, të shoqëruar nga shoqatat dhe grupet famullitare.

“Padrejtësia është rrënja e mbrapshtë e varfërisë”; “Britma e të varfërve bëhet çdo ditë më e fortë, e çdo ditë dëgjohet gjithnjë më pak, e mbytur nga potera e një grushti pasanikësh”. E nënvizoi Papa në homelinë e Meshës, kremtuar me rastin e Ditës II botërore të të varfërve, me temë: “Ky i varfër bërtet e Zoti e dëgjon”.

Në përvjetorin e kushtimit të Bazilikës së Vatikanit (1626) e asaj të Ostienses (1854), Papa kujtoi se përballë dinjitetit të shkelur të njeriut, i krishteri nuk mund të rrijë “me duar kryq, indiferent, e as me krahë hapur në një gjest fatalist". I krishteri duhet ta shtrijë dorën, ashtu si bën Jezusi. Mjaft më me bankete për një grusht njerëzish! Troket një ditë ora e drejtësisë edhe për të fundmit!

I krishteri  nuk mund të kënaqet duke i bërë mirë vetëm pak e kujt, sepse “t’ia shpërblesh tjetrit të mirën me të mirë, është normale. Po Jezusi na kërkon të shkojmë më tej, t’i japim atij, që nuk ka ç’të na japë, domethënë, ta duam, pa pritur asnjë shpërblim”. Kjo quhet dorë e shtrirë, e kjo është edhe pasuria jonë e vërtetë në qiell. Në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, me Letrën apostolike “Misericordia et misera”, botuar më 21 nëntor 2016, Papa Bergoglio vendosi që, në të Dielën XXXIII të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, të kremtohet “Dita botërore e të varfërve”, pikërisht për t’i pasur gjithnjë sytë e ngulur mbi mjerimin e botës; veshët e hapur, për të dëgjuar britmën e të varfërve; duart e shtrira, për t’i ndihmuar:

“Britma e të varfërve: është klithma e mbytur e fëmijëve, që nuk mund të dalin në dritë; e vocrrakëve, që vuajnë nga uria; e të rinjve të mësuar me zhurmën e shpërthimit të bombave, në vend të zërave gazmore të lojës. Është britma e pleqve të  flakur në vetmi e të harruar. Britma e atij, të cilit i duhet të ikë, duke lënë shtëpi e katandi, për të shkuar ku nuk e di as ai vetë. Britma e popullsive të tëra, që nuk mund t’i gëzojnë as pasuritë natyrore të tokës së tyre. Është britma e shumë e shumë Lazrave, që qajnë në prag të portës së epulonëve, shtruar në sofrat e pasura, kur gostia duhet t’u përkasë të gjithëve. Padrejtësia është rrënja a mbrapshtë e varfërisë”.

I krishteri është udhëtar i shkathët

Duke komentuar një fragment të Ungjillit sipas Mateut (Mt 14, 22-23), Papa vuri theksin mbi tre veprime të Jezusit. Zoti largohet nga turma, që e brohoret pse shumëzoi bukët, për të shkuar në mal e për t’u lutur e, më pas, për t’u nisur drejt dishepujve natën, duke ecur mbi ujërat e trazuara nga era e duke ia shtrirë dorën Pjetrit, të trembur për vdekje, në mes të stuhisë. Biri i Zotit - saktësoi Papa - shkon gjithnjë “kundër rrymës” e na mëson edhe ne të guxojmë, ta lëmë “suksesin, që ta bën zemrën mal e qetësinë, që e përgjum shpirtin”. Ta lëmë, për të shkuar drejt Zotit, duke u lutur, e drejt atij, që ka nevojë, duke e dashur! Këto janë thesaret e vërteta të jetës. Jezusi - ngulmoi Papa - na largon nga kullota e patrazuar në fushat e bleruara të jetës; nga gjallimi i plogtë ndërmjet kënaqësive të vogla të përditshme, sepse dishepujt e Jezusit nuk janë thirrur të jetojnë në qetësinë e  jetës normale:

“Na zgjo, o Zot, nga bunaca e qetë e porteve tona të sigurta. Na zgjidh nga pallamarët e vetvlerësimit, që na e rëndojnë jetën. Çlirona nga kërkimi i sukseseve. Na mëso të gatitemi për të lënë gjithçka e për ta  drejtuar jetën tonë, drejt sates: drejt Zotit e të afërmit”.

Nuk mbytesh kurrë me Jezusin në bord  

Jezusi na jep zemër, duke i vënë nën thembër armiqtë e mbrapshtë të njeriut: djallin, mëkatin, vdekjen, frikën, mendësinë e botës. Në shtegtimin e jetës - saktësoi Papa - vetëm me Jezusin në bord nuk mbytesh kurrë:

“Barka e jetës sonë sulmohet shpesh nga dallgët, tundet e shkundet nga era e edhe ujërat e qeta papritmas nisin e trazohen. Atëherë zemrohemi me stuhitë e çastit, që na duken i vetmi problem. Por problemi nuk është tek stuhia e çastit, është tek mënyra si lundrojmë nëpër jetë. Nëse dëshiron të lundrosh mirë, ‘duhet ta ftosh Jezusin në bord’. Ky, sekreti”.

Zbrisni nga piedestalet, për t’u ulur pranë të varfërve

Së fundi, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, Papa kujtoi se fillesa e fesë është të zbrazesh nga bindja krenare se je në vendin e duhur, je i aftë, je i pavarur, je… E të pranosh se ke nevojë për shëlbim:

“Feja rritet në këtë klimë, klimë me të cilën  mësohesh duke ndenjur me ata, që nuk krekosen mbi piedestale, por kanë nevojë të kërkojnë ndihmë, Prandaj ka shumë rëndësi ta jetojmë fenë në lidhje me nevojtarët. Nuk është opcion sociologjik, as modë e një  papnie, është kërkesë teologjike. Do të thotë ta ndjesh veten lypës, që lyp shëlbim, vëlla a motër me të gjithë, por sidomos, me të varfërit, të zgjedhur nga vetë Zoti”.

18 nëntor 2018, 14:00